Gjergj Vyshka 22.10.2014 22:05
Ngjarjet e shëmtuara e ndodhura në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri janë bërë pjesë e diskutimit jo vetëm e komunitetit të “topkëmbës”, por dhe të shumësportëshit, të cilët të gjithë njëzër e kanë dënuar atë që ka ndodhur të mërkurën e kaluar në Beograd. Dhe pjesë e tyre është dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Shahut, Rezart Taçi, i cili në një memorandum të nisur më 17 tetor i ka kërkuar presidentit të Federatës Botërore të katrorëve bardhezi, Kirsan Iljuzhminov, që të dënojë dhunën dhe të mbajë qëndrim për atë që ka ndodhur me Shqipërinë e futbollit në Beograd.
Ja dhe kërkesa e firmosur nga Taçi ditë më parë për Iluzhminov: “Komuniteti dhe opinioni sportiv botëror u bë dëshmitar pak ditë më parë i shndërrimit të një arene sportive në një skenë dhune, atje ku racizmi, ksenofobia, urrejtja dhe ndjenjat më të ulëta njerëzore poshtëruan pa ndalur himnin e një kombi dhe simbolet e tij. Me akte që fyejnë ndërgjegjen njerëzore, tifozë, forca të sigurisë, punonjës të policisë ushtruan dhunë, goditën me grushte, shkelma futbollistët e ekipit kombëtar të Shqipërisë. Në një stadium të përmbytur nga koret e neveritshme, që kërkonin vdekjen e shqiptarëve, bota pa se si sporti mund të keqpërdoret krejt për të kundërtën e asaj që ai ekziston; promovimin e vlerave më të mira humane si ndershmëria, paqja, respekti për të tjerët, për të ndryshmit dhe për kundërshtarët. Sporti është përkufizuar prej shekujsh nga vlera të tilla dhe progresi ka qenë i jashtëzakonshëm. Ngjarje si këto të stadiumit të Beogradit, ku ekipi shqiptar kombëtar do të luante një ndeshje futbolli më atë të Serbisë, na kujtojnë të gjithëve se sa e brishtë është ngrehina e vlerave sportive e ndërtuar me mund dhe se sa i fortë duhet të jetë zëri i të gjithëve për t’i dënuar ashpër këto sjellje barbare. Ne si Federatë e Shahut të Shqipërisë jemi të tronditur nga ajo ndodhi me futbollistët dhe ekipin tonë kombëtar të futbollit në Beograd. Ne dhe i gjithë opinion sportiv në vendin tonë nuk mund ta kuptojmë këtë sjellje që vjen prej errësirës dhe jeton me të. Ky është një moment i keq për gjithë sportin. Ky është një moment ku të gjithë duhet të kenë një qëndrim. Ne si federatë i kërkojmë Federatës Ndërkombëtare të Shahut, anëtarë të së cilës ne jemi, që të dënojë ashpër aktet e dhunshme, qëndrimet e shëmtuara anti-sportive dhe anti-njerëzore të ndodhura në stadiumin e Beogradit. Ne jemi të bindur se Federata Botërore e Shahut do të ngrihet në lartësinë e vlerave që mbron sporti, në lartësinë e gjithë asaj që ajo ka bërë deri më tani dhe do t’i bashkohet zërit të së drejtës kundër përçudnimit të sportit. Shahu është prej atyre sporteve që prin në promovimin e respektit, paqes dhe bashkëjetesës”.
Kjo ka qenë kërkesa e presidentit të Federatës Shqiptare të Shahut, Rezart Taçi, për presidentin e Federatës Botërore, Iljuzhminov për gjithçka që ndodhi më 14 tetor në ndeshjen Serbi-Shqipëri me kombëtaren kuqezi. Nuk duhet harruar që Taçi dhe Mjeshtëri i Madh Ndërkombëtar, Erald Dervishi, ndodhen në Kongresin Evropian në Batum të Gjeorgjisë, atje ku duket se e kanë përsëritur sërish të njëjtën kërkesë. Dënimin e ngjarjeve të shëmtuara në Beograd…