Gjergj Vyshka 20.05.2016 12:55
Shqipëria e shahut është duke kërkuar një tjetër veprimtari ndërkombëtare për të organizuar. Pas Kampionatit Botëror të shkollave më 2018-ën në Durrës, po në të njëjtin vit, sipas Sekretares së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Shahut, Majlinda Pilinci, kërkohet dhe organizimi i një veprimtarie të Frankofonisë. Më parë është bërë në Kebek të Kanadasë, pastaj në Monto të Francës dhe tanimë në Tiranë.
Dhe për këtë qëllim të mërkurën në Tiranë ka qenë presidenti i Shoqatës Botërore Frankofone të Shahut, Patrik Van Holand, i cili është në të njëjtën kohë dhe pjesë e Kampionatit Evropian Individual, që është duke u zhvilluar në Gjakovë të Kosovës. Nuk duhet harruar që Shqipëria, që nga viti 1999, është pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.
Dhe të mërkurën në ora 15:30, Van Holand fillimisht ka qenë në një takim pune në Ambasadën e Francës në Tiranë, atje ku është pritur nga sekretarja e parë Margot Reno dhe menaxheri i misionit të Kulturës, Fransua Korabëf. Dhe më pas në ora 17:30 po të mërkurën ka pasur dhe një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello.
“Qëllimi i këtyre takimeve ishte forcimi i lidhjeve që tashmë ekzistojnë ndërmjet Federatës Shqiptare të Shahut dhe Shoqatës Botërore të Shahut të Frankofonisë, – ka sqaruar Pilinçi. – Mbi të gjitha është kërkuar zgjerimi i shkëmbimeve dhe bashkëpunimit, por kryesisht për të vendosur themelet që do te bëjnë të mundur në të ardhmen e afërt të organizimit të ngjarjeve ndërkombëtare në kontekstin e shahut të Frankofonisë në Shqipëri.”
“Mundësitë e organizimit në vitin 2018 te ngjarjeve të mëdha, që janë takime ndërkombëtare të Frankofonisë ishin në qendër të diskutimeve”, – ka përfunduar Sekretarja e Përgjithshme e FSHSH-së, ndërsa kështu Shqipëria nuk po ndalet së kërkuari sa më shumë veprimtari ndërkombëtare. Botërori i shkollave dhe takimi i Frankofonisë më 2018-ën në Shqipëri janë mundësi reale.