Gjergj Vyshka 29.10.2014 14:20
Klean Shuqja është e nënta mes 63 pjesëmarrësve në Kampionatin Evropian të moshave në shah, që dje pasdite ka përfunduar në Batum të Gjeorgjisë. Në grupmoshën e vajzave deri në 8 vjeç, Shuqja ka grumbulluar 6 pikë, që kanë ardhur nga 5 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje. Dhe dje ka bërë një tjetër sukses të bukur, teksa ka fituar përballë polakes Martina Starosta, e cila e kishte koeficientin ELO 1367. Vendi i 9-të mes 63 pjesëmarrësve, në një kohë që të tjerët nuk është se kanë bërë më shumë, e bëjnë Klean Shuqja të jashtëzakonshme për kombëtaren shqiptare në këtë veprimtari.
Përgjatë vitit ka marrë pjesë në Kampionatin Botëror të moshave në Durban të Afrikës së Jugut, apo dhe në veprimtari të tjera. E gjithnjë paraqitja e saj ka qenë e mirë. Vjet ka qenë e shtata në këtë Evropian, kurse sivjet e nënta, por që kundërshtaret kanë qenë më të forta. E për rrjedhojë dhe ndeshjen e Klean Shuqes më cilësore. Ndaj dhe Batum ishte më e mira e kombëtares së Shqipërisë. Duke mbetur tek vajzat, për Nën-16-vjeçaret, Suzana Kërçiku është mundur nga rumunia Aleksanda Diana Ciungan. Dhe me 2.5 pikë është renditur e 64-ta mes 67 pjesëmarrësve. Tek djemtë për Nën-18-vjeçarët, Ted Shpati është mundur nga polaku Bartosh Novicki.
Kësisoj, me 2 pikë në 9 ture, ai është renditur i 63-ti mes 64 pjesëmarrësve. Për Nën-16-vjeçarët, Timoleo Miço është mundur nga islandezi Oliver Johaneson dhe me 4 pikë në 9 ture është renditur i 61-ti mes 89 pjesëmarrësve. Sakaq tek Nën-14-vjeçarët djem, Devid Spiru ka fituar me malazezin Pobor Danilo. Dhe me 3 pikë është renditur i 92-ti mes 99 pjesëmarrësve. Së fundi, tek Nën-12-vjeçarët, Pirro Marko ka barazuar Aleksandre Beljani. Me 3 pikë në 9 ture është renditur i 109-ti mes 121 pjesëmarrësve. Përfundimisht Klean Shuqja është suksesi i Shqipërisë në Evropianin e moshave në shah që dje përfundoi në Batum të Gjeorgjisë.