Nga Gjergj Vyshka 14.09.2016 09:15
Ka përfunduar dje në mesditë në Baku të Azerbajxhanit Olimpiada e 42-të Botërore e Shahut, atje ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës për femra dhe Kina për femra janë fituese të këtij kampionati. Tek meshkujt, në vendin e dytë dhe të tretë janë renditur Ukraina dhe Rusia, kurse tek femrat, Polonia dhe Ukraina. Po Shqipëria? Krahasuar me Olimpiadën e 41-të Botërore të Shahut, e cila para dy vjetësh është zhvilluar në Tromso të Norvegjisë, jemi në vendnumëro.
Sepse si për meshkuj, ashtu dhe për femra në përfundim të 11 tureve kemi të njëjtën kuotë pikësh. 13 pikë meshkuj (5 fitore, 3 barazime, 3 humbje) dhe 10 pikë vajza (5 fitore, 0 barazime dhe 7 humbje). Vetëm se lëvizin vendet, teksa për meshkuj, gjithnjë në krahasim me “Tromso 2014”, jemi tre pozicione më sipër. Që do të thotë nga vendi i 60-të sot jemi në të 57-tin mes 150 pjesëmarrësve, ndërsa barazimi i djeshëm me Azerbajxhanin 3 na ka ulur katër vendet.
Për vajza para dy vjetësh ishim në të 81-tin, kurse sot në të 80-tin, por gjithnjë me rënie, sepse humbja e djeshme me Malin e Zi na ka ulur 11 vende në një renditje mes 140 pjesëmarrësve. Për meshkuj, edhe kuota e pikëve në tavolinë është e njëjtë 25 pikë si para dy vjetësh, kurse për femra, nëse para dy vjetësh kanë qenë 21.5 pikë, sot janë gjithsej 20 pikë. Pa thënë që para dy vjetësh kemi pasur 6 fitore tek djemtë, 1 barazim dhe katër humbje, kurse me vajza 4 fitore, 2 barazime dhe 5 humbje.
E thënë ndryshe, përtej dëshirës së mirë për t’i mbështetur, e gjithë paraqitja në Olimpiadën e 42-të Botërore të Shahut na ka paraqitur as “mish” e as “peshk”. Ose e parë ndryshe lëvizje me hapin e “breshkës”. Çka do të thotë se duhet shumë për të qenë ndryshe në Batumi më 2018-ën.