Gjergj Vyshka 11.09.2016 09:50
Turi i 8-të i Olimpiadës së 42-të Botërore të Shahut, që është duke u zhvilluar në Baku të Azerbajxhanit, ka demonstruar për Shqipërinë se djemtë janë duke mbajtur ritmin e fitores. Ka qenë suksesi i katërt i kësaj përfaqësueseje, ndërsa dje kanë triumfuar përballë Luksemburgut, 0.5-3.5.
Në fakt barazimi në tavolinën e parë e Mjeshtrit të Madh Ndërkombëtar, Erald Dervishit, ndaj mjeshtrit ndërkombëtar Mikael Viendenkeler duket sikur nuk jep sinjale të mira. Mirëpo Dritan Mehmeti, Llambi Pasku dhe Ilir Seitaj kanë rikuperuar gjithçka dhe në fund 0.5-3.5 ndaj Luksemburgut.
Me këtë fitore, Shqipëria e meshkujve renditet në vendin e 65-të mes 150 pjesëmarrësve. 18.5 të grumbulluara në tavolinë, të cilat janë si më poshtë: Erald Dervishi, 4 pikë në 7 ndeshje, Dritan Mehmeti, 6 pikë në 8 ndeshje, Llambi Pasku, 3 pikë në 6 ndeshje, Ilir Seitaj, 4 pikë në 6 ndeshje dhe Franc Ashiku, 1.5 pikë në 5 ndeshje.
Në turin e 9-të, Shqipëria do të jetë përballë Monakos, duke shpresuar në një tjetër fitore.
Olimpiada Botërore e Shahut
“Baku – Azerbajxhan 2016”
Rezultatet teknike të turit të 8-të:
Meshkuj
Luksemburg – Shqipëri 0.5-3.5
Mikael Viendenkeler (MN) – Erald Dervishi 0.5-0.5
Klod Vagener (MN) – Dritan Mehmeti 0-1
Filip Linster – Llambi Pasku 0-1
Mark Mertens – Ilir Seitaj 0-1