AlbanianSport.com 10.02.2016 18:20
ASNN – Shahu i Tomorit dhe i Beratit, që kishte mbetur peng i konjukturave politike, tashmë ka rilindur. Për shkak të konjukturave të ish-drejtuesit të mëparshëm të Bashkisë, Fadil Nasufi, që për shkak të një vote në këshillin bashkiak mbante në detyrë si trajner Ajet Veleshnjën, shahu kishte pushuari së ekzistuari si sport. Dhe të gjitha këto keqdashje politike e kanë mbajtur larg shahun e Tomorit nga veprimtari kombëtare dhe ndërkombëtare.
Por më në fund ky sport ka dalë nga “burgu”, ndërsa kryebashkiaku i ri, Petrit Sinaj, pas shumë konsultimesh ka emëruar në krye të ekipit si trajner Leonard Kolanin. Kolani ka qenë kampion i vendit, e ka ELO-n 2320 dhe është Mjeshtër i Merituar i Sportit. Tashmë pritet që me Kolanin trajner të afrohen shahistë të rinj, ndërsa do të jepte dhe këtë deklaratë për shtyp: “Nuk kam pse ta fsheh kënaqësinë e emërimit nga ana e kryebashkiakut, të cilin gjej rastin ta falënderoj”.
“Tashmë, pas një dekade, ka marrë fund edhe “burgosja” e shahut beratas, – ka vijuar ai. – Dhe duke u mbështetur tek figura si Llambi Qëndro, apo dhe Bardhyl Dardha, Tomori do të jetë i fuqishëm në garat kombëtare dhe ndërkombëtare. Do të jetë konkurrent në garat individuale dhe ekipore, ndërsa jemi duke ngritur dhe Akademinë e Shahut dhe së shpejti, pas tre vjetësh funksionim, do të kemi dhe elementët e parë të shahut beratas”.