Gjergj Vyshka 26.02.2015 10:55
Shahu shqiptar është gati për veprimtarinë e parë kombëtare, teksa bëhet fjalë për kampionatin e moshës deri në 8 vjeç dhe atë deri në 20 vjeç. Kjo garë, e cila do t’i përfshijë bashkë të dy moshat, do të zhvillohet nga data 26, deri më 31 mars 2015. Nëpërmjet njoftimit të saj në “Facebook”, Federata Shqiptare e Shahut, u ka kërkuar klubeve sportive që të paraqesin të dhënat për pjesëmarrësit.
Dhe për këtë kërkohen lista emërore, datëlindjen dhe për çdo pjesëmarrëse përpara garës në sekretarinë e kësaj veprimtarie të japë certifikatën e lindjes për sportistët e regjistruar. Afati i fundit i regjistrimit është më 20 mars 2015. Në fakt shahu shqiptar i ka nisur veprimtari e vitit me kremtimin e 80-vjetorit të lindjes së një mjeshtri të këtij sporti, si Ylvi Pustina.
Pa harruar zhvillimin e analizës vjetore, apo dhe pjesëmarrjen e shahistëve në turnetë e Kosovës, atje ku Llambi Pasku ka shënuar disa fitore. Tashmë është fakt i kryer që veprimtaria e parë kombëtare për vitin 2015 do të jetë kampionati i moshave 8-20 vjeç.