Gjergj Vyshka 23.06.2016 15:55
Federata Shqiptare e Shahut ka lajmëruar se në vijim të rikthim të traditës së zhvillimit të sporteve të katrorëve bardhezi në shkolla, apo dhe në institucione, është duke u zhvilluar Kampionati i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Janë të gjitha strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa veprimtaria, që ka nisur më 20 qershor dhe përfundon më 24 qershor, është duke u zhvilluar në mjediset e garnizonit “Skënderbej”. E kjo është falë iniciativës, organizimit dhe koordinimit të Nën-Koloneles Arta Driza, shahiste profesioniste, por njëkohësisht dhe Mjeshtre e Sportit.
Dhe gjithçka e bën për dashurinë që ka ndaj këtij sporti si i gjithë komuniteti i shahut shqiptar. Ajo që duhet bërë e ditur është fakti se Arta Driza, e cila ka qenë pjesëmarrëse në trajnimet e organizuara nga Federata Shqiptare e Shahut, sidomos me Mjeshtren e madhe Ndërkombëtare, bullgaren Kostandinova, është gjyqtare ndërkombëtare dhe instruktore kombëtare. Si gjyqtare ndërkombëtare, Driza do të jetë pjesë e Olimpiadës Botërore, e cila do të zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit, nga data 1, deri më 14 shtator 2016.
Ndërkohë në Kampionatin e Forcave të Armatosura, me masat që ka marrë Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Komandat, Njësitë dhe Repartet Autonome kanë marrë masa që të përfaqësohen me 10 ekipe, të cilat do të kenë 4 lojtare. Dita e fundit e veprimtarisë do të jetë të premten, në ora 10:00 dhe në ceremoninë përfundimtare do të jenë Mjeshtri Ndërkombëtar, Ilir Seitaj, i cili do të zhvillojë dhe një simultane me Forcat e Armatosura, ndërsa do të jenë dhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të Shahut, si dhe Mjeshtri Ndërkombëtar, Fatos Muça.