Gjergj Vyshka 13.09.2016 17:05
Nëse kanë shkëlqyer meshkujt me atë barazim të fortë ndaj Izraelit, femrat kanë rënë përballë Meksikës në turin e 10-të të Olimpiadës Botërore të Shahut. E përbërë nga tre mjeshtre ndërkombëtare për femra dhe një mjeshtre FIDE (Federata Botërore e Shahut) po për femra, Meksika ka qenë një kundërshtar shumë i fortë për tonat.
Kanë humbur njëra pas tjetrës Eglantina Shabanaj, Rozana Gjergji dhe Alda Shabanaj, por ka ardhur një barazi i Bruna Tuzit që nuk ngre shumë peshë. Përfundimisht me 10 pikë, Shqipëria e femrave kanë rënë 12 vende në renditje, ndërsa aktualisht është në vendin e 69-të mes 140 pjesëmarrësve.
Si pikë tavolinash, Shqipëria e femrave ka 19 pikë, që vijnë nga Eglantina Shabanaj, 4 pikë në 9 ndeshje, Rozana Gjergji, 5 pikë në 10 ndeshje, Alda Shabanaj, 4 pikë në 9 ndeshje, Bruna Tuzi 4.5 pikë në 8 ndeshje dhe Suzana Kërçiku 1.5 pikë në 4 ndeshje. Olimpiada Botërore e Shahut përfundon sot, ndërsa vajzat do të ndeshen me Malin e Zi.
Olimpiada Botërore e Shahut
“Baku – Azerbajxhan 2016”
Rezultatet teknike të turit të 10-të:
Femra
Meksikë – Shqipëri 3.5-0.5
Karime Diana Real Pereira (F/MN) – Eglantina Shabanaj 1-0
Alehandra Rodriguez Guerrero (F/MN) – Rozana Gjergji 1-0
Miriam Kasas Parkhurst (F/MF) – Alda Shabanaj 1-0
Ale Ivete Moral Garcia (F/MN) – Bruna Tuzi 0.5-0.5