Gjergj Vyshka 07.09.2016 12:05
Kombëtarja e femrave në shah, që drejtohet nga Aldo Zadrimaj me ndihmën e Mjeshtrit Ndërkombëtar, Ilir Seitaj, ka arritur fitoren e 3-të në 5 ture. Duket si një fitore minimale ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, 2.5-1.5, por që në fund llogaritet dypikëshi dhe, me 6 pikë në 5 raunde, shahistet kuqezi janë në vendin e 58-të mes 140 pjesëmarrësve.
Suksesi i djeshëm erdhi nga fitorja e Eglantina Shabanajt dhe Bruna Tuzit, e cila në tavolinën e tretë ka zëvendësuar Alda Shabanajn, si dhe nga barazimi i Rozana Gjergjit. Mund të kishte qenë e thellë fitorja nëse Suzana Kërçiku nuk do të ishte mundur në fund nga Mjeshtra e FIDE-s për femra, Vadima Humaid S.H AlKalbani.
Sidoqoftë, fitorja ka qenë e sigurt, ndërsa në pikë tavolinash numërohen 11 pikë, që kanë ardhur: Eglantina Shabanaj 3.5 pikë në 5 ndeshje, Rozana Gjergji 2.5 pikë në 5 ndeshje, Alda Shabanaj 2 pikë në 4 ndeshje, Bruna Tuzi 1.5 pikë në 3 ndeshje dhe Suzana Kërçiku 1.5 pikë në 3 ndeshje. Në turin e 6-të, shahistet shqiptare do të jenë përballë Argjentinës.
Olimpiada Botërore e Shahut
Baku – Azerbajxhan 2016
Rezultatet teknike të turit të pestë:
Femra
Emiratet e Bashkuara Arabe – Shqipëri 1.5-2.5
Aldaheri Abdallah Shaika – Eglantina Shabanaj 0-1
Amna Numan (F/MN) – Rozana Gjergji 0.5-0.5
Kalil Bashaer (F/KM) – Bruna Tuzi 0-1
Vadima Humaid S.H AlKalbani (F/MF) – Suzana Kërçiku 1-0