Gjergj Vyshka 30.09.2015 12:30
Është luajtur turi i parafundit i Kampionatit Evropian të Shahut për Moshat në Poreç të Kroacisë. Është kthyer tek fitorja Klean Shuqja, e cila dje ka mundur hungarezen Luka Hegedus. Dhe me 5.5 pikë në tetë ture, Shuqja renditet e 10-ta në grupmoshën deri në 10 vjeç.
Sakaq dje janë dhe dy barazime, që kanë ardhur nga Zino Veleshnja tek Nën-14-vjecarët, i cili ka dalë “remi” me sllovenin David Brinovec, si dhe Suzana Kërçiku tek Nën-16-vjeçarët, e cila ka barazuar me kroaten Karmela Miçan. Por ka barazuar edhe Timoleo Miço tek Nën-18-vjeçarët me letonezin Olegs Petrovskin.
Në të njëjtën kohë është mundur Tedi Shpati tek Nën-16-vjecarët, i cili ka humbur me austriakun Lukas Shvab. Po kështu ka ndodhur me Pirro Markon tek Nën-12-vjecarët, që është mundur nga norvegjezi Uilliams Olsen. Për të vijuar më pas tek Nën-10-vjecarët, atje ku Vito Deni është mundur nga çeku Ondrej Skipala.
Dhe humbja e fundit e ditës i ka takuar Adrian Gurit tek Nën-8-vjecarët, ndërsa është mundur nga italiani Françesko Kau. Pas 8 turesh gjendja e pikëve të shahistëve kuqezi është: Klean Shuqja 5.5 pikë, Zino Veleshnja 4.5 pikë, Timoleo Miço 4 pikë, Suzana Kërçiku 3.5 pikë, Vito Deni 3 pikë, Tedi Shpati dhe Pirro Marko 2.5 pikë dhe Adrian Guri 2 pikë.