Gjergj Vyshka 24.06.2016 09:45
Kampionati Evropian i Shkollave në Shah, që është duke u zhvilluar në Kasandra të Greqisë, ka mbërritur në turin e shtatë. Por duket se ky tur nuk ka qenë me fat për Klean Shuqja në grupmoshën e 11-vjeçareve për vajza, teksa është mundur nga turkja Inxhe Safije Ojku, që është kandidate mjeshtre për femra.
Në këto kushte, Shuqja ka mbetur në kuotën e 4.5 pikë pas 7 turesh, duke rrëshqitur në vendin e 7-të, ndërsa është 1 pikë e gjysëm larg vendit të parë, që aktualisht mbahet nga kandidatja mjeshtër për femra, rusja Margarita Zvereva, e cila ka 6 pikë në shtatë raunde.
Ndërkohë në grupmoshën e djemve 7 vjeç, Dijon Peposhi është mundur nga turku Kagan Oguz Gurer, teksa është tashmë në vendin e katërmbëdhjetë me 3 pikë. Dhe tek mosha deri në 9 vjeç për djem, Adrian Guri ka barazuar me grekun Evangjelos Liamos. Me 3 pikë ndodhet në vendin e 26-të. Evropiani i Shkollave në Shah përfundon të dielën, më 26 qershor 2016.