Gjergj Vyshka 24.09.2015 14:20
Ish-“kampionia” e botës 2004-2006, sot mjeshtre e madhe ndërkombëtare, ka marrë përsipër të drejtojë kursin e Federatës Botërore të Shahut për trajnerët në Tiranë. Të dielën, simultanë me fëmijët në një nga sheshet e kryeqytetit. Ndërkohë Sekretarja e Përgjithshme e Federatës Shqiptare të Shahut, Majlinda Pilinçi, pasi ka falënderuar Federatën Botërore të Shahut, Federatën Evropiane dhe Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar për mbështetjen, ka theksuar se ky kurs është po aq i rëndësishëm sa dhe i gjyqtarëve që u zhvillua në korrikun e vitit 2014.
Në të njëjtën kohë, Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar (KOKSH), Viron Bezhani e ka parë sportin e shahut si një sport që duhet të ketë zhvillimin e tij për të mos mbetur vetëm tek disa kokrra. “Ne duhet ta zhvillojmë dhe ta hapim këtë sport dhe duhet të dini që jo vetëm KOKSH, por dhe qeveria tashmë e ka parë si një sport parësor kur ka pranuar shahun nëpër shkolla, – ka theksuar në përshëndetjen e tij kreu i lëvizjes olimpike shqiptare, Viron Bezhani. – Ndaj ne jemi të kënaqur për zhvillimin e këtij seminari.”
Ndërsa Mjeshtri i madh Ndërkombëtar, Erald Dervishi, i cili është promotori i këtij kursi për zhvillimin e nivelit të trajnerëve, është shprehur se do të jetë një mundësi e mirë për rritjen cilësore të trajnerëve. “Dhe kjo jo vetëm për shahistët e vjetër, por dhe të rinj. Dhe është shans që ne kemi një ish-kampione bote në gjirin tonë”, – ka përfunduar Dervishi. Kursi me Mjeshtren e Madhe ndërkombëtare bullgaren Stefanova përfundon më 25 tetor, kurse më 27 tetor në një nga sheshet e Tiranës ajo do të zhvillojë dhe një simultanë me fëmijët e shkollave të kryeqytetit.