Gjergj Vyshka 20.02.2015 13:05
Për presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, figura të tilla si Ylvi Pustina janë etalon për sportin shqiptar dhe janë figura që duhen mbajtur sepse kanë se çfarë mund t’i japin ende sportit në vend. “Më duhet të falënderoj kryesinë e Federatës Shqiptare të Shahut për nderin që i bën figurave, sepse janë një shembull jo vetëm për ne si KOKSH, por dhe për vetë shtetin për kujdesin që duhet të kemi karshi këtyre figurave kaq të mëdha të sportit tonë”, – ka thënë Bezhani.
“Është një shembull për të gjithë shoqërinë dhe këta figura si Ylvi Pustina meritojnë jo vetëm “Mirënjohje”, por dhe më shumë, – ka vijuar kreu i lëvizjes olimpike shqiptare. – Ne vlerësojmë rrugën që Ylvi Pustina ka bërë për t’u bërë shahist. Dhe na ka zënë mat, sepse duhet të bëjmë dhe më shumë. Sot 80-vjetori i lindjes së tij që përkon dhe me 80-vjetorin e Federatës Shqiptare të Shahut. Dhe ne nuk kemi se çfarë të themi më shumë, por vetëm t’i urojmë Jetë të gjatë”.
Mandej drejtori i Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Vladimir Gjonaj, ka kujtuar vitin 1986 kur është njohur me figurat e shahut shqiptar. “ Është kënaqësi të rrish me njerëz inteligjent, – ka thënë ai. – Më bëhet qejfi që të shikoj në formë, sepse je i ri akoma. Suksese, shëndet dhe jetë të gjatë”. E më pas nëpërmjet një ekspozite fotografike ka kaluar e gjithë karriera e mjeshtrit Ylvi Pustina.
Mandej figura të tilla të shahut si Aldo Zadrima, Ilir Seitaj, Vangjel Adhami, por dhe më i riu Oltion Vata, kanë vlerësuar Ylvi Pustinën. Ashtu sikurse e ka bërë dhe shkrimtari Çelik Petriti. E në fund është bërë dhe dorëzimi i Çmimit të karrierës dorëzuar nga Federata Shqiptare e Shahut, kurse mjeshtri Pustina, por dhe i biri Adriani kanë falënderuar të gjithë të pranishmit në 80-vjetorit e lindjes së legjendës së gjallë të shahut shqiptar.