AlbanianSport.com 25.11.2014 21:15
ASNN – Edhe pse vetëm 8 vjeç, Klean Shuqja vazhdon të arrijë rezultate tepër të larta në sportin e shahut në arenën ndërkombëtare. Për grupmoshën e saj, ajo ka zënë vendin e 17-të në Kampionatin Botëror dhe të 9-tin në Evropë. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla e ka takuar kampionen e shahut në shkollën e saj, teksa ishte në mësim, duke i bërë një surprizë tepër të bukur Kleas.
Klean Shuqja, është 8-vjeçarja shqiptare që po shkëlqen në arenën ndërkombëtare, në sportin e shahut. Dy veprimtaritë e fundit të saj janë Botërori i zhvilluar në Durban të Afrikës së Jugut në shtator dhe Kampionati Evropian, i zhvilluar në tetor në Batum të Gjeorgjisë. Rezultatet e saj janë premtuese teksa renditet e 17-ta në botë me pikë të barabarta me vendin e 10-të dhe e 9-ta në Evropë.
Për këto rezultate të larta, Kleanës i ka bërë një surprizë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, e cila ka shkuar ta takojë në shkollën ku studion kampionia e shahut. Ministrja Nikolla e uroi nga afër nxënësen e vogël për rezultatet e arritura në kampionatet ndërkombëtare ku ka marrë pjesë dhe i shprehu asaj mbështetjen e vazhdueshme në të ardhmen.
“Klean ashtu siç ka bërë krenare shkollën më ka bërë edhe mua krenare. Sa herë që lëviz gurët e shahut dhe fiton na ka të gjithëve mbështetje dhe tifozë të fortë të suksesit të saj”, – u shpreh Nikolla. Ministrja shtoi se shahistja e vogël, Kleana ka prekur majat e botës në sportin e saj, ndërkohë që në të ardhmen ajo do të bëhet një kampione e madhe bote që do të na bëjë krenarë të gjithëve.
Tepër e habitur dhe e mrekulluar për surprizën, kampionia shqiptare e shahut tregon se aktiviteti i radhës për të është kampionati evropian që do të zhvillohet në Itali. Klean Shuqja ka marrë pjesë deri tani në 11 veprimtari ndërkombëtare, kryesisht kampionate evropiane dhe bote për moshën e saj.