AlbanianSport.com 28/05/2020 21:40
ASNN – Ministri Spadafora ndez dritën jeshile, gjysmëfinalet e Kupës luhen më 13 dhe 17 qershor. Pas Bundesligës gjermane dhe Premier Ligës Angleze, një tjetër kampionat i madh evropian ka caktuar datën e rikthimit. Ministri Italian i Sporteve, Vinçenco Spadafora, ka miratuar nisjen e kampionatit italian në 20 qershor. Ndërsa gjysmëfinalet e Kupës mund të luhen në javën që i paraprin rikthimit të Serisë A, në datat 13 dhe 17 qershor 2020.
Ka marrë kështu fund të enjten edhe odiseja e rinisjes së nivelit më të lartë të Kampionatit Italian të Futbollit dhe Seria A ka tanimë një datë konkrete për rikthimin e saj. Në mbrëmjen e së enjtes, Ministri Italian i Sporteve, Vinçenco Spadafora, ka miratuar nisjen e kampionatit italian në 20 qershor, pas takimit të fundit që pati me pjesëtarët e Ligës Italiane, Shoqatës së Futbollistëve, Federatës Italiane të Futbollit dhe Shoqatës së Mjekëve.
“Takimi ishte shumë i dobishëm, – ka deklaruar zyrtari italian, duke folur për mediat në përfundim të këtij takimi. “Tani futbolli italian do të nisë sërish, – ka vijuar Spadafora. – Sot morëm miratimin e Federatës për Protokollin Shëndetësor, i cili është i detyrueshëm për të gjitha klubet. Pas të gjitha diskutimeve mund të themi se kampionati italian do të nisë në 20 qershor.” Ndërkohë, lidhur me Kupën e Italisë, zyrtari i lartë i qeverisë italiane tregoi se gjysmëfinalet e veprimtarisë së dytë të futbollit në Gadishullin e Apenineve mund të luhen në javën që i paraprin rikthimit të Serisë A.
Pra, në datat 13 dhe 17 qershor 2020. “Ekziston mundësia që në datat 13 dhe 17 qershor të zhvillohen gjysmëfinalet e Kupës së Italisë”, – përfundoi Ministri Italian i Sporteve, Vinçenco Spadafora. Duhet theksuar se, për shkak të kushteve klimatike, të gjitha ndeshjet do të luhen pas orës 18:00, teksa klubet nuk kanë pranuar orare më të hershme, për shkak të temperaturave të larta që parashikohen për muajt qershor dhe korrik.