AlbanianSport.com 13/05/2020 16:30
ASNN – Pas më shumë se dy muajsh ndërprerjeje dhe një kaosi total për shkak të epidemisë së shkaktuar nga virusi korona, edhe futbolli italian sheh dritë në fund të tunelit. Deklarata e Ministrit Italian të Sportit, Vinçenco Spadafora, kanë qenë të shumta ditët e fundit dhe shpeshherë, jo me lajme të mira për tifozët. Megjithatë, duket se një marrëveshje është arritur dhe ashtu si kampionatet e tjera të vendeve kryesore të Europës (përveç Francës), edhe futbolli në Gadishullin e Apenineve do të rifillojë shumë shpejt.
Qeveria e Italisë ka rënë dakord me protokollin e shtruar në tavolinë nga Federata Italiane e Futbollit dhe Seria A dhe tashmë ka një datë paraprake se kur mund të rifillojë kampionati. Mediat italiane raportojnë se futbolli në Itali, do të rifillojë me datë 13 qershor. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane dhe ato ndërkombëtare, Seria A ka propozuar 13 qershorin si datë të rifillimit, apo më së voni 20 qershori, ndërsa synimi është të përfundohet deri më 2 gusht. “Sky Sport Italia” raporton se kjo datë është aprovuar nga klubet në asamblenë e mbajtur sot.
Tanimë ka mbetur edhe aprovimi i qeverisë italiane për të lejuar rifillimin e kampionatit. Mësohet se ndeshjet gjysmëfinale dhe finalja e Kupës së Italisë do të luhen në korrik. “Lega Serie A” ka lëshuar komunikatë duke konfirmuar datën 13 qershor për rifillimin e stinorit. Por, ndryshe nga protokolli i adoptuar nga Bundesliga, protokolli italian nënkupton se nëse një lojtar apo anëtar i stafit teston pozitiv për “COVID-19” pas stërvitjeve në grup, atëherë gjithë skuadra do të detyrohet të qëndrojë në karantinë për 15 ditë.
Në futbollin gjerman, që rikthehet këtë fundjavë testimi pozitiv i një lojtari nuk nënkupton karantinë automatike për gjithë skuadrën. Sipas ligjeve gjermane autoritetet lokale shëndetësore e kanë përgjegjësinë për vendimin. Klubi i Bundesligës së dytë, Dinamo e Drezdenit, është izoluar për dy javë pasi dy lojtarë kanë rezultuar pozitivë për virusin korona. “Sa i përket Gjermanisë, unë i ftoj të gjithë ta shqyrtojnë rastin e Dinamos sp Drezdenit, që ka përfunduar në karantinë për 15 ditë, – ka thënë Ministri Italian i Sportit, Vinçenco Spadafora. – Ne nuk mund të nënvlerësojmë problemin.”
“Vetëm disa javë më parë, disa lojtarë përfunduan në karantinë, – ka vijuar ai. – Ne duam të rihapim ligën dhe të lejojmë të përfundohet, por në siguri absolute. Unë jam i vetëdijshëm për rëndësinë sociale që paraqet futbolli, por edhe se është një nga ministritë më të rëndësishme në shtetin tonë. Unë kam marrë një letër nga presidenti i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC), Gabriele Gravina, që ka konfirmuar se ka pranuar gjitha modifikimet në protokollin mjekësor, veçanërisht karantinën për skuadrën nëse ka ndonjë rast pozitiv. Për këtë arsye, stërvitjet në grup mund të kthehen nga 18 maji.”