Gjergj Vyshka 21.09.2017 17:05
Ndonjëherë për të zbuluar personazhe shqiptare që bëjnë sport në vendet të tjera të duhet dhe ndihma e ndokujt që është e interesuar për të. Fatmirësisht për Leonard Nikën ka qenë e interesuar gazetarja e Radio Tiranës, Elda Koçi, nëpërmjet të cilës bëhet më e qartë dhe figura e tetë herë kampionit të Italisë në sërfi. Leonardi ka lindur në Shkodër.
Babai Tom Nika me origjinë dhe nga Shkodra dhe e ëma, Myzejen Gjonzeneli nga Vlora, që më 1991 kanë emigruar në Itali. E tashmë jetojnë në Portugali pranë Lisbonës, sepse deti është me dallgë më të mëdha çka ndihmon Leonardin për t’u përgatitur më mirë në disiplinën e sërfit.
Rezultatet e tij janë mbresëlënëse, sepse është i dyti dhe i treti në Evropë, si dhe i katërti dhe i pesti në botë. Në pamundësi për të përfaqësuar Shqipërinë dhe vendlindjen e tij, ndërsa sërfi nuk njihet si disiplinë sportive, ai përfaqëson Italinë, ku me shumë meritë është 8 herë kampion i këtij vendi, së fundmi në Sardenja.