AlbanianSport.com 17.04.2015 12:15
ASNN – Kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, dhe trajneri Xhovani De Biazi kanë qenë dy përfaqësuesit e Shqipërisë që kanë dëshmuar sot përpara panelit dëgjimor të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv, që po shqyrton ankesat e palëve për ndeshjen e ndërprerë të 14 tetorit 2014 midis Serbisë dhe Shqipërisë. Pasi të përfundojë së dëgjuari të dy palët, KAS-i pritet ta mbyllë seancën pas orës 18:00, ndërsa vendimi për këtë çështje mund të mos merret sot.
Vazhdojnë në Lozanë të Zvicrës seancat dëgjimore të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për ndeshjen e ndërprerë të 14 tetorit 2014 midis Serbisë dhe Shqipërisë. Pasi është dëgjuar dje çështja e Serbisë, e cila kërkon vetëm heqjen e dënimit për zbritjen e 3 pikëve dhe heqjen e gjobës, sot ka qenë radha e Shqipërisë, e cila kërkon anulimin e humbjes së ndeshjes në tavolinë dhe akordimin e fitores për ndeshjen e Beogradit, si dhe heqjen e gjobës.
Të pranishëm në seancën dëgjimore të Shqipërisë në Lozanë janë dhe drejtues të Federatës Serbe, si Sekretari i Përgjithshëm, Zoran Lakoviç, shefi i sigurisë, Milivoj Mirkov, shefi i personelit të sigurisë në stadiumin “Partizani” të Beogradit, gjithashtu kapiteni i përfaqësues serbe, Branislav Ivanoviç. Menjëherë pasi kanë përfunduar dëshminë trajneri De Biazi dhe kapiteni Cana, kanë vijuar të dëshmojnë përfaqësuesit e Federatës Serbë, që përmendëm më lart.
Ndërkohë nga pala shqiptare, në mbrojtje të saj, do të flasin para gjykatës ekspertë të mirënjohur në arenën ndërkombëtare, si, Prof. Sebastjën Beso’, i specializuar në çështjet e arbitrazhit, profesor në universitetin e Nojshatelit, që konsiderohet si lideri i brezit të ardhshëm të jurisprudencës zvicerane dhe Prof. Dr. Alen Makaluzo, një tjetër emër i madh i së drejtës ndërkombëtare, lektor në universitetin e Lozanës.
Pasi të përfundojë seanca dëgjimore e të dy palëve, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv pritet ta mbyllë seancën pas orës 18:00. Duke lënë në të kuptojmë që vendimi për këtë çështje mund të mos merret sot.