AlbanianSport.com 20.10.2014 19:55
ASNN – Vazhdojnë hipotezat mbi fatin e ndeshjes së ndërprerë javën e shkuar, midis Serbisë dhe Shqipërisë dhe është anëtari i komitetit disiplinor të UEFA-s, çeku Rudolf Repka, i cili ka paralajmëruar se, sipas të gjitha gjasave, ky takim do të përsëritet. Ndërkohë, presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka vlerësuar gjestin e futbollistëve shqiptarë dhe atyre serbë të Lacios.
Anëtari i komitetit disiplinor të UEFA-s, çeku Rudolf Repka, ka paralajmëruar se, sipas të gjitha gjasave, ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, do të përsëritet. Pas ndërprerjes së ndeshjes, për shkak të sulmeve të tifozëve kundër lojtarëve shqiptar në stadiumin e Partizanit në Beograd, dy palët kërkojnë fitore në tavolinë, por i të njëjtit mendim nuk është edhe çeku i cili ka thënë se do të përsëritet ndeshja.
I cituar nga gazeta serbe “Kurir”, Repka ka thënë: “Unë nuk besoj se Shqipëria apo Serbia do të dënohen rëndë, por mendoj se do të përsëritet ndeshja, në një vend neutral dhe me dyer të mbyllura”. Ditët e fundit është spekuluar se dy ndeshjet mes Shqipërisë dhe Serbisë do të zhvillohen në terren neutral, larg këtyre shteteve dhe pa tifozë.
Ndërkaq, presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, ka vlerësuar gjestin e futbollistëve shqiptarë dhe atyre serbë të Lacios. “Nëse Shqipërinë nuk do ta kishim vendosur në të njëjtin grup me Serbinë, atëherë nuk duhet ta linin në shortonim as me Maqedoninë e Greqinë, dhe kjo është gati e pamundur”, – ka theksuar Platini, duke vijuar: “Ne prandaj po punojmë me këto vende, me presidentët e kryeministrat, që kanë përgjegjësi kryesore për çështjet e sigurisë kombëtare.”
“Por këto gjëra sërish ndodhin dhe kjo më trishton. Vlerësova shumë çfarë ndodhi te Lacio, ku lojtarët serbë dhe shqiptarë pozuan së bashku. Ky është futbolli i vërtete, ai që duhet të afrojë njerëzit e jo t’i largojë”, – ka përfunduar kreu i UEFA-s.