AlbanianSport.com 18.10.2014 08:35
ASNN – Në lidhje me ngjarjet e Beogradit ka reaguar sërish presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, i cili në një intervistë me një radio franceze, ka theksuar se do të ketë dënime për federatat dhe protagonistët. Megjithatë, kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar, ka shtuar se ky vendim është tërësisht kompetencë e Komisionit të Disiplinës.
Do të ketë sanksione dhe dënime, por ato do të jenë kompetencë e organeve ligjvënëse në UEFA”. Kështu ka deklaruar dje, në një intervistë radiofonike presidenti i organizmit që qeveris futbollin evropian, Mishel Platini, i cili ka cilësuar atë që ndodhi në Beograd si “një turp”.
Për ish-futbollistin e njohur francez, futbolli është bërë pre e politikës. “Kjo është një lojë për qindra milionë njerëz, por me përfitime ekonomike për shumë pak njerëz, – ka thënë Platini. – Pastaj janë edhe përfitimet politike. Futbolli është bërë kaq popullor, saqë është mbushur me politikë.”
“Unë jam në kontakt me 54 vende evropiane dhe ne jemi të ndërgjegjshëm për rëndësinë e këtij sporti në shumë vende”, – ka shtuar ai. Duke folur për ndeshjen Serbi-Shqipëri, kreu i UEFA-s theksoi se do të ketë ndëshkime. “Ajo që ndodhi në ndeshjen midis Serbisë dhe Shqipërisë është një turp”, – ka thënë Platini.
“Sipas të gjitha gjasave, UEFA do të japë dënime, – ka vijuar ai. – Ne po presim një raport nga gjyqtari, nga delegatët, një raport nga zyrtarët e sigurisë të dërguar enkas për këtë këtë ndeshje me rrezikshmëri të lartë. Kështu që ne po presim dhe më pas Komisioni i Disiplinës do të marrë një vendim.”
“Ky Komision është i pavarur dhe vetëm ai do ta marrë këtë vendim”, – ka përfunduar presidenti i UEFA-s. Këto deklarata Platini i bëri gjatë një interviste me radion franceze “Francë Info”, ku kishte shkuar për të promovuar librin e tij “Le të flasim për futbollin”.