AlbanianSport.com 22.10.2014 14:45
ASNN – Thuajse 10 ditë më pas, ndeshja midis Serbisë dhe Shqipërisë, e ndërprerë në minutën e 41-të, do të jetë objekt i shqyrtimit nga ana e Komitetit të Disiplinës të UEFA-s. Ditën e enjte, nëpërmjet një video-konference, pala shqiptare do të mbrojë faktet e saj përballë 5 anëtarëve të këtij Komiteti të organizmit që qeveris futbollin evropian, ashtu siç do të bëjë edhe pala serbe, dhe, më pas do të jepet vendimi, si për ndeshjen dhe për pikët. Por, ekziston edhe një hipotezë tjetër, ajo që mund të ketë edhe një shtyrje tjetër deri në muajin nëntor.
Fati i ndeshjes Serbi-Shqipëri, e cila u ndërpre në minutën e 41-të më 14 tetor, do të mësohet të enjten, më 23 tetor, kur Komiteti i Disiplinës së UEFA-s të dëgjojë palët dhe argumentet e tyre dhe të japë një vendim. Ditën e enjte, nëpërmjet një video-konference, pala shqiptare do të mbrojë faktet e saj përballë 5 anëtarëve të Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, ashtu si edhe pala serbe e më pas do të jepet vendimi, si për ndeshjen dhe për pikët. Por, ekziston edhe mundësia që fati i ndeshjes të vendoset të enjten, ndërsa ndëshkimet për shkeljet e tjera, të jepen disa javë më pas.
Ankimimi i palës shqiptare konsiston në 3 pika kyçe të ngjarjes që sollën edhe ndërprerjen e ndeshjes. Pika e parë është dështimi i palës serbe në organizimin e ndeshjes, një pikë shumë e rëndësishme që nisur edhe nga pamjet tregohet qartë, ashtu si edhe pika e dytë që është hyrja e tifozëve në fushë dhe goditja e skuadrës mike jo vetëm nga tifozët, por edhe nga stjuardët apo punonjësit e sigurisë. Ndërsa pika e tretë janë koret raciste që në fillim të ndeshjes, të cilat më pas vazhduan me injorimin e himnit shqiptar dhe flamujt me mesazhe politike të ndaluara ku shkruhej “Kosova është Serbi”.
Ndërkohë, Federata Shqiptare e Futbollit akuzohet për banderolën me simbolet shqiptare dhe për refuzimin për t’u rikthyer në fushën e lojës. Për këtë pikë, që është shumë e rëndë dhe ndëshkuese, pra braktisja e fushës së lojës, në relacionin që i është dërguar UFEA-s shkruhet: “Skuadrës shqiptare në asnjë moment nuk i është kërkuar që të rikthehet në fushën e lojës, thjesht është pyetur nëse janë në gjendje apo jo për të vazhduar ndeshjen. Për këtë pyetje, përgjigjia ka qenë e qartë për të gjithë: “Ne nuk refuzojmë të rikthehemi e të luajmë futboll, por refuzojmë të vdesim.”
Ndërkohë, Presidenti i Federatës Serbe të Futbollit, Tomisllav Karaxhiç beson se Komisioni Disiplinor i UEFA-së do të vendosë drejtësinë në rastin e ndeshjes së ndërprerë në mes të Serbisë dhe Shqipërisë, e zhvilluar më 14 tetor në Beograd. Optimizmi i kreut të futbollit serb është i bazuar në premtimin që ka marrë nga Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, me të cilin ka biseduar drejtpërdrejt nëpërmjet telefonit.