AlbanianSport.com 15.10.2014 00:05
ASNN – Sikundër pritej, ndeshja midis Serbisë dhe Shqipërisë, ka zgjuar një interesim të jashtëzakonshëm të shqiptarëve, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Një pjesë e konsiderueshme njerëzish e kanë ndjekur ndeshjen, të paktën atë pjesë që u luajt dhe ngjarjet që rrodhën më pas, nëpërmjet një ekrani gjigand të vendosur përpara tribunës së Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet.
Ata kanë krijuar një atmosferë të ndezur, që erdhi në rritje me zhvillimet që pasuan më pas në ndeshje. Ndërsa të tjerë kanë preferuar ta ndjekin ndeshjen nëpër bare dhe lokale të ndryshme, në shoqërinë e familjarëve dhe miqve. Natyrisht, zgjedhja kryesore e shikuesve ka qenë Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i cili e ka përcjellë këtë transmetim në cilësinë më të lartë të zërit dhe figurës.
Pas vendimit zyrtar për ndërprerjen e ndeshjes, mijëra qytetarë janë derdhur rrugëve të kryeqytetit, për të ofruar një koreografi të vërejtur vetëm pas ndeshjes së 4 shtatorit të para 4 viteve me Greqinë. Ndeshja midis Serbisë dhe Shqipërisë, ka zgjuar një interesim edhe të jashtëzakonshëm në Kosovë, ku në Prishtinë, kanë qenë me mijëra sportdashësit e mbledhur për ta ndjekur këtë ndeshje nëpërmjet ekraneve gjigande të vendosura në sheshin pranë “Hotel Grand”-it.