AlbanianSport.com 24.10.2014 16:25
ASNN – Serbi-Shqipëri është regjistruar me rezultat zyrtar 3-0 për serbët. Sipas mediave europiane, me këtë vendim UEFA legjitimoi dhunën dhe racizmin. “UEFA legjitimoi dhunën dhe racizmin”, është titulli i “Toskana News”. “Serbia shpërblehet me fitore”, raporton televizioni britanik, “ITV”. “Serbisë iu dha fitorja, por i humbi pikët”, titullohet shkrimi i “Sport24”. “UEFA tregohet e butë me serbët”, shkruajnë mediat kroate. “Vendimi i UEFA-së, të gjithë humbës”, shkruan “La Gazzetta Dello Sport”. “Serbia shpërblehet me fitore për dhunën në ndeshje të Euro 2016”, shkruan nga ana tjetër prestigjiozja BBC.
“Toskana News” përdor një titull të rëndësishëm duke thënë se me këtë vendim UEFA legjitimon dhunën dhe racizmin. Gjithashtu në shkrim theksohet se ndeshja u ndërpre në minutën e 41, për shkak të dhunës së tifozëve serbë dhe jo prej fluturimit të minihelikopterit mbi stadium. Në mënyrë të pabesueshme UEFA vendosi që Shqipëria të humbasë ndeshjen në tavolinë, sepse refuzoi të kthehej në fushë, pasi ishte objekt i dhunës së vazhdueshme nga ana e huliganëve dhe policisë serbe, vazhdon më tej shkrimi.
Ndërsa “Tgcom” shkruan: Dora e rëndë e UEFA-s vendos për humbjen e Shqipërisë. Në shkrimin e agjencisë italiane online citohet dhe deklarata e trajnerit të Kombëtares shqiptare, Xhovani De Biazi, i cili shprehet i zhgënjyer për këtë vendim. Dhe shton se kjo nuk është aspak drejtësi. “La Gazeta dello Sport” e konsideron si një humbje për të gjithë vendimin e UEFA-s për ndeshjen Serbi Shqipëri. Fitorja në tavolinë i është dhënë Serbisë, për t’u penalizuar më pas me tre pikë për shkak të dhunës si dhe zhvillimin e ndeshjeve të tjera pa tifozë.
“Yahoo sport” në titullin e saj kryesor shkruan UEFA urdhëron 3-0 në tavolinë në favor të Serbisë, duke shtuar se Federata Shqiptare e futbollit dhe ajo Serbe janë gjobitur gjithashtu me 100 mijë euro gjobë. Edhe mediat rumune pasqyrojnë vendimin e UEFA-s, që raportohet thjesht si një njoftim pa u shoqëruar me komente. “Pro Sport”-i rumun përmend dhe gjobën prej 100 mijë eurosh që iu vendos dy federatave. Vendimi i UEFA, komentohet edhe në gazetën tjetër rumune “Gaseta Sporturilor” me titullin: “UEFA dha vendimin pas rastit të fluturakes në ndeshjen Serbi-Shqiperi.”
“Pritet vendimi per ndeshjen Rumani-Hungari”, – shton media rumune në fjalë. “BBC”-ja shkruan se Serbia u shpërblye nga UEFA pas largimit nga fusha të ekipit shqiptar si pasojë e dhunës. Britanikja “The Guardian” gjithashtu e konsideron një shpërblim për Serbinë vendimin e UEFA-s, edhe pse më pas tre pikët i janë hequr gjithsesi dhe do të zhvillojë ndeshjet e radhës pa tifozë. “CNN” e konsideron si një ndëshkim për të dyja palët për rolin që patën në natën dramatike të dhunës në Beograd.
Edhe “Daily Mail” komenton ndëshkimin ndaj Shqipërisë si një shpërblim për Serbinë: Përfaqësuesja serbe merr fitoren në tavolinë, por serbëve u zbriten tre pikë. Ndërsa spanjollja sportive “AS”, cilësoi një sanksion të dobët vendimin e komisionit të disiplinës së UEFA-s, dënimin e Serbisë për ndeshjet pa tifozë dhe gjobën prej 103 mijë eurosh për të dyja federatat e futbollit. Edhe gazeta spanjolle “Marca” shkruan se UEFA i jep fitoren pa pikë Serbisë.