AlbanianSport.com 24.10.2014 15:05
ASNN – Presidenti i Federatës Shqiptare te Futbollit, Armando Duka, është prononcuar për mediat e ndryshme shqiptare pas vendimit të marrë nga UEFA, me besim se Apeli do të gjykojë me drejtësi në favor të Shqipërisë. Duka theksoi se “pas vendimit të padrejtë, tashmë sytë drejtohen drejt apelimit të vendimit të Komisionit të Disiplinës së UEFA-s, ose dhe arbitrazhit për të marrë atë që poshtërsisht humbëm në shkallën e parë”.
“Humbëm një beteje, por jo luftën”, – është shprehur Duka, duke vijuar: “Kam pasur kontakt me avokatin e çështjes që ne do ta ndjekim dhe jam i bindur që do ta fitojmë këtë çështje. Do të kisha shumë dëshirë që vendimin e duhur ta jepte shkalla e parë, Komisioni i Disiplinës, por nuk dyshoj se do ta fitojmë këtë betejë në apel dhe në arbitrazh.” Kreu i FSHF-së është optimist se Shqipëria do të marrë 3 pikët në Apel, por nga ana tjetër nuk fsheh zhgënjimin e mosdistancimit të UEFA-s nga dhuna në sport.
“Për mua është një vendim që nuk i bën mirë askujt, nuk i bën mirë futbollit, përmirësimit të klimës së futbollit, largimit të dhunës, – ka theksuar ai. – Nuk e di se çfarë precedenti do të krijojë ky vendim. Ne nuk do ta bëjmë kurrë, por një skuadër tjetër të rrahë futbollistët në fushë dhe të marrë tre pikët në tavolinë? Nuk e di. Një ndeshje e ndërprerë për probleme disiplinore duhet ta fitojë një skuadër. Ky është një lloj kompromisi politik, i jep tre pikë dhe i merr tre pikë.”
“Kjo nuk ka të bëjë me drejtësinë sportive”,- ka përfunduar presidenti i FSHF-së, Armando Duka.