AlbanianSport.com 04.12.2014 20:25
ASNN – Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS) e kanë pranuar se i kanë propozuar Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) që ta përsërisin ndeshjen e 14 tetorit. Kurse, pas këtij refuzimi mediat serbe i kanë quajtur shqiptarët kokëfortë. Komisioni i Apelit i UEFA-s nuk e ndryshoi vendimin e Komisionit të Disiplinës për ndeshjen Serbi-Shqipëri, e cila ishte ndërprerë pas hyrjes së huliganëve serbë në fushë.
Por, para mbledhjes së Komisionit të Apelit, të dy vendet kishin mundësi të arrijnë një marrëveshje për përsëritjen e ndeshjes, por drejtuesit e Federatës së Futbollit të Shqipërisë e refuzuan këtë ide. E përditshmja serbe, “Kurir”, ka mbetur e befasuar me vendimin e palës shqiptare, të cilët e quan “kokëfortë”. Kurse, Sekretari i Përgjithshëm i FSS-së, Zoran Lakoviç, rrëfen se si FSHF-ja nuk e pranoi propozimin që ndeshja të përsëritet.
“Ishte një propozim që ishte me pëlqimin dhe miratimin e UEFA-s para fillimit të seancës. Por, ne nuk arritëm marrëveshje që ta zhvillojmë një ndeshje të re pasi shqiptarët nuk duan të luajnë”, – ka deklaruar Lakoviç për “Kurir”. Drejtuesit e FSHF-s kanë paralajmëruar se do të kërkojnë drejtësi në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Kurse, të njëjtën gjë pritet ta bëjë edhe FSS.