AlbanianSport.com 20.05.2015 18:25
ASNN – Ndonëse ishte synuar fillimisht që stadiumi i dytë i kryeqytetit, “Selman Stërmasi” të përfundonte brenda muajit maj dhe madje Tirana t’i luante aty 2-3 ndeshjet e fundit të këtij sezoni, një gjë e tillë nuk u bë e mundur dhe tashmë synimi real është fillimi i sezonit të ri, pra mesi i muajit gusht. Aktualisht po përfundon puna për rindërtimin e tribunave dhe mjediseve të brendshme, ndërsa ka nisur edhe shtrimi i tapetit të gjelbërt.
Prej disa muajsh, stadiumi “Selman Stërmasi” i është nënshtruar një rinovimit të pjesshëm të tij, për ta sjellë këtë mjedis sportiv në parametra të pranueshëm funksionimi, por edhe në përputhje me kushtet e kërkuara nga UEFA për organizimin në të ndeshjeve ndërkombëtare. Ndonëse ishte synuar fillimisht që stadiumi i dytë i kryeqytetit të përfundonte brenda majit dhe madje Tirana t’i luante aty 2-3 ndeshjet e fundit të këtij sezoni, një gjë e tillë nuk u bë e mundur.
Dhe tashmë synimi real është fillimi i sezonit të ri, pra mesi i muajit gusht. Pak javë më parë kanë mbërritur 9,600 stolat, që do të instalohen në këtë stadium, madje firma që po kryen punimet ka bërë një provë për vendosjen e tyre. Gjithashtu ka mbërritur fusha me barë natyral nga Italia, e cila ka nisur të shtrohet shumë në mënyrë që të jetë funksionale për sezonin e ri futbollistik.
Sipas zyrtarëve të klubit të Tiranës, që e kanë nën administrim këtë stadium, ndërhyrja në këtë impiant sportiv ishte e nevojshme duke patur parasysh degradimin e tij, si përsa i përket tapetit të gjelbërt, ashtu edhe tribunës, shkallëve dhe mjediseve të brendshme. Pas përfundimit të punimeve, ky stadium do të ketë një kapacitet prej 8,000-9,000 vendesh dhe synohet që ky stadium do të jetë i përshtatshëm edhe për Kupat e Evropës.