Adriatik Balla 14.06.2015 10:05
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi, mund të transferohet në Itali gjatë afatit kalimtar të verës. Përveç Lacios, e cila e kërkon prej një muaji dhe është vënë në lëvizje për ta bërë të sajin, tani është e Sampdoria që kërkon shërbimet e anëtarit të Bazelit, që për të dytin vit radhazi, u shpall golashënuesi më i mirë në kampionatin zviceran.
Sampdoria po e kërkon Gashin si zëvendësues të Samuel Eto’osë, që pritet të largohet këtë verë. Në listë për të zëvendësuar Eto’o, janë edhe Fernando Llorente dhe El Sharaui i Milanit. Por drejtuesit e skuadrës italiane duan një lojtar më të ri në moshë dhe më energjik se Jorente dhe Gashi i plotëson shijet e tyre. Por klubet italiane janë vënë në hetim sërish, për përfshirje në trukimin e ndeshjeve.
Natyrisht që fenomeni është i njohur kryesisht në kategoritë inferiore, por së fundmi ka dalë në dritë skandali në Serinë A, konkretisht me Sampdorian. Kështu, Interi mund të luajë në Ligën e Evropës për edicionin e ardhshëm, pasi Sampdoria mund të përjashtohet nga garat evropiane. Sampdoria aktualisht është nën hetime për shkak të dyshimeve të trukimit të ndeshjes në vitin 2011.
Në rast se edhe Sampdoria përjashtohet nga garat, atëherë do të jetë ekipi i dytë nga qytetiti i Xhenovës. Vetë Xhenova nuk e ka marrë licencën për të luajtur në Ligën e Evropës, duke ia lëshuar vendin Sampdorias. Mbetet të shihet se si do të jetë fati i Sampdorias pas skandalit të trukimit dhe bashkë me të, edhe fati i transferimit të Shkëlzen Gashit.