Gjergj Vyshka 23.12.2016 14:20
Ana pozitive e kësaj Salle të Lojërave me Dorë është se ajo do të jetë gati për ndeshjet e kombëtares së basketbollit të meshkujve ndaj Austrisë dhe Holandës, të vlefshme për Eliminatoret e Botërorit, si dhe për Kampionatin Evropian të Të Rinjve dhe Nën-23-vjeçarëve të peshëngritjes.
Ndërkaq, ana negative e saj është mungesa e një salle rezervë, ashtu sikurse ka Pallati i Sportit “Asllan Rusi” (që në fakt ka dy), mungesë kjo që së paku pengon në zhvillimin e veprimtarive ndërkombëtare të peshëngritjes, që kërkon dhe një mjedis për nxemje para gare.
Kur u hodh ideja e parkut olimpik ishte për të gjithë sipërfaqen që zinte ish-Kompleksi Sportiv “Dinamo, ndërsa godina ekzistuese do të ishte hoteleri për grumbulluar kombëtaret. Por tashmë ajo godinë, si dhe fushat e futbollit janë marrë nga Federata Shqiptare e Futbollit.
“E megjithatë në fushën me bar natyral do të jetë pista e atletikës dhe kështu jemi në rregull për atë që kishim parashikuar, pavarësisht se tashmë do të jetë dhe një kompleks, në kuptimin e mirë të fjalës, për të gjithë sportin”, – ka theksuar Drejtori i Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, Bledar Doçi.