AlbanianSport.com 07.11.2016 18:15
ASNN – Xhovani De Biazi ka bërë një mrekulli me Kombëtaren shqiptare dhe është një trajner që mund të drejtojë çfarëdolloj përfaqësueseje në Evropë dhe botë. Ky vlerësim për kreun e pankinës kuqezi ka ardhur nga ish-trajneri i njohur i futbollit italian dhe atij botëror, Arrigo Saki.
Trajneri i mirënjohur i futbollit italian dhe atij botëror, Arrigo Saki, ka folur me superlativa për bashkëatdhetarin e tij, Xhovani De Biazi, i cili e udhëhoqi Kombëtaren shqiptare drejt kualifikimit historik për në fazën finale të Evropianit të vitit të ardhshëm “Francë 2016”.
“Ka përmbushur një mision thuajse të pamundur, duke kualifikuar një përfaqësuese që gjithmonë konsiderohej si e dorës së dytë, – tha Saki. – Ajo që ka bërë De Biazi, ajo që ka bërë kjo skuadër, këta lojtarë, është një mrekulli. E vetmja këshillë që do t’i jepja ekipit tuaj është që të jenë të gjithë të qetë, të japin maksimumin, por pa i vënë vetes objektiva.”
“Objektivi duhet të jetë paraqitja sa më e mirë e çdo futbollisti”, – ka shtuar ai. I pyetur nga AlbanianSport.com nëse e shikonte një ditë trajnerin e Kombëtares kuqezi në krye të stolit të “Axurrëve”, Saki nuk e ka përjashtuar një mundësi të tillë, duke thënë: “De Biazi është një trajner i shkëlqyer dhe një person serioz”.
“Është një njeri që kërkon gjithmonë të përmirësohet dhe unë besoj se është i aftë për çdo stol, kudo në botë”, – ka përfunduar trajneri i mirënjohur i futbollit italian dhe atij botëror. Këto deklarata Saki i bëri gjatë një takimi informal në kryeqytet me të gjithë trajnerët e ekipeve përfaqësuese të futbollit shqiptar.