AlbanianSport.com 22/05/2020 19:25
ASNN – Kreu i Ligës Gjermane të Futbollit flet për rëndësinë e rikthimit në fushën e blertë. Kreu ekzekutiv i ligës gjermane të futbollit, Kristian Saifert, ka deklaruar se rifillimi i Bundesligës ka qenë i nevojshëm për të ruajtur klubet me histori shekullore. Kampionati gjerman i futbollit është i pari ndër kampionatet kryesorë evropianë që është kthyer, teksa luajti të shtunën e shkuar ndeshjet e javës së 26-të.
Siç dihet, futbolli anembanë kontinentit të vjetër ishte pezulluar në mesin e marsit për shkak të epidemisë së virusit korona. Liga 1 e Francës është anuluar, ndërsa Seria A e Italisë, La Liga e Spanjës dhe Premier Liga e Anglisë synojnë rifillimin muajin e ardhshëm. Kështu që vëmendja e të gjithëve ishte kthyer tek Bundesliga e parë dhe ajo e dytë gjermane, që ndeshjet i kanë zhvilluar pa praninë e tifozëve.
Sipas Saifertit, mosvazhdimi i edicionit do të sillte në rrezik ekzistencën e klubeve. “Unë jam përgjegjës për 36 kompani të vogla dhe të mëdha, që kishin ndërprerë aktivitetin dhe që duhej të rifillonin atë, – ka thënë ai. – Të mos të kesh të ardhura për dy muaj është e rrezikshme. Shumë prej këtyre kompanive janë të vjetra, 100-vjeçare, kështu që mua më është dashur të garantojë ekzistencën e tyre.”
“Ne nuk kemi rrezikuar shëndetin e publikut të gjerë dhe nuk kemi vjedhur teste nga askush, – ka vijuar zyrtari gjerman. – Nëse mund të rifillojmë ligën me burimet tona dhe pa kërkuar para nga shteti, pse mos të bëjmë këtë? Po ashtu Gjermania e do futbollin. 80 milionë njerëz e kishin virusin në mendje dhe ne i kemi ndihmuar ta harrojnë pak. Ne vetëm duam të trajtohemi si çdo industri tjetër.”
Duke për të përditshme sportive spanjolle “Marça”. Ai ka konfirmuar se kampionet e tjerë të kontinentit kanë marrë shënime për masat e marra në Gjermani. “Kemi marrë komplimente të shumta nga e gjithë bota, – ka zbuluar drejtuesi i futbollit gjerman. – Shumë prej ligave janë interesuar për protokollin tonë dhe për organizimin. Ky është një nder i madh.”
“Sa më shpejt të kthehet sporti aq më mirë do të jetë për shoqërinë”, – ka përfunduar kreu ekzekutiv i ligës gjermane të futbollit, Kristian Saifert.