AlbanianSport.com 08/01/2020 18:25
ASNN – Sadio Mane është shpallur “Futbollisti i vitit” për Afrikën. Në ceremoninë e zhvilluar në Egjipt, sulmuesi i Liverpulit fiton çmimin për vitin 2019, duke mposhtur dy yje të tjerë të futbollit afrikan, Salahun dhe Mahrezin. Trajneri i vitit shkoi për algjerianin Dzhamel Belmadi. Ndërsa për kategorinë e të rinjve, fitues është futbollisti maroken, Hakimi, që luan me Borusian e Dortmundit. Kështu, ylli i Liverpulit, Sadio Mane, u kurorëzua si “Lojtari i Vitit” për Afrikën për herë të parë, gjatë një ceremonie të organizuar në Egjipt.
Senegalezi fitoi ndaj dy konkurrentëve të tjerë, shokut të tij të skuadrës tek Liverpuli, Mohamed Salah, fitues i këtij çmimi në dy vitet e fundit, dhe algjerianit Rijad Mahrez të Mançester Sitit. “Jam vërtet i lumtur dhe në të njëjtën kohë krenar që fitoj këtë çmim dhe do të doja të falënderoja shokët e mi të skuadrës në ekipin përfaqësues dhe te Liverpuli”, – tha Maneja gjatë ceremonisë së organizuar nga Konfederata e Futbollit Afrikan (CAF) në qytetin e Hurghada të Egjiptit. “Eshtë një ditë e madhe për mua”, – shtoi ai.
Sadio Mane është futbollisti i dytë nga Senegali që e fiton këtë çmim, pas El-Hadzhi Diufit, i cili ishte lojtari më i mirë i kontinentit afrikan në 2001-shin dhe 2002-shin. Sulmuesi 27-vjeçar, shënoi 34 gola në 61 ndeshje në 2019, sipas statistikave të CAF. Salah shënoi 26 gola në 55 ndeshje, ndërsa Mahrezi 14 gola në 48 ndeshje vitin e kaluar. Të dy këta lojtarë nuk ishin të pranishëm në ceremoni. “Do të doja të falënderoja të gjithë banorët e Senegalit, sepse ata kanë qenë pranë meje gjatë gjithë kohës e me përkrahjen e tyre më kanë çuar përpara.”
Në fjalën e tij, Maneja ka shprehur mirënjohjen e sinqertë për njerëzit nga fshati i tij Bambali. Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ish-lojtari argjentinas Huan Sebastian Veron dhe ish-lojtari i Brazilit, Kafú morën pjesë në ndarjen e çmimeve. Çmimin e trajnerit të vitit për Afrikën e mori algjeriani, Dzhamel Belmadi. “Unë kam një marrëdhënie të veçantë me futbollistët, – ka thënë ai. – Pa dallime individuale, e kjo është ajo që e bashkon grupin. Për mua të gjithë lojtarët janë të mëdhenj, kështu i kam konsideruar që nga dita që kam marrë drejtimin e përfaqësueses.”
Ndërsa lojtari i ri më i mirë u shpall marokeni Ashraf Hakimi, që luan me Borusian e Dortmundit. “Jam i lumtur që fitova këtë trofe, – ka deklaruar ai pas marrjes së çmimit. – Është një shpërblim për sezonin. Jam shumë i lumtur dhe krenar që fitoj këtë çmim dhe që jam me lojtarët dhe trajnerët e shkëlqyer në këtë ceremoni. Më duhet ta shijoj atë, të vazhdoj të punoj. Falënderoj klubin tim, familja dhe ekipin tim përfaqësues për mbështetjen e tyre të përditshme.” Për femra, futbollistja e vitit ishte nigeriania Asisat Oshoala, që e fiton për herë të katërt këtë çmim.