AlbanianSport.com 28.12.2016 18:00
ASNN – Për herë të parë Rusia ka pranuar provat që tregojnë se si zyrtarë të lartë të saj, kanë zbatuar një nga skemat më të jashtëzakonshme të dopingut në historinë e sportit, e cila përfshiu mijëra sportistë nga 30 disiplina olimpike. Prestigjiozja amerikane, “Nju Jork Tajms”, ka bërë disa intervista me zyrtarë të lartë të Moskës, të cilët nuk i kanë kundërshtuar faktet që tregojnë ekzistencën e programit për përdorim dopingu.
Rusia është detyruar ta pranojë këtë gjë, pasi Grigori Rodçenkov, drejtori i laboratorit anti-doping për periudhën para Lojërave Olimpike “Soçi 2014”, deklaroi se dhjetëra atletë rusë pjesëmarrës në olimpiadë kanë qenë pjesë e një programi dopingu të miratuar nga Moska. I planifikuar në detaje dhe i përgatitur për të funksionuar për vite me radhë, në mënyrë që atletët e tyre të dilnin gjithnjë fitues.
Kjo deklaratë bëri që Agjencia Ndërkombëtare Antidoping (WADA) të rikontrollonte edhe njëherë analizat e sportistëve rusë, të cilat rezultuan në një pjesë të mirë të tyre pozitive, duke u hequr atyre medaljet. Megjithatë zyrtarët e Moskës kërkuan shpesh që atletët të mos dënoheshin pasi ata nuk kanë qenë në dijeni për ekzistencën e programit të dopingut.
“Nju Jork Tajms” e mbyll artikullin me fjalët e Mikail Kusnirovich: “Në kohën e Stalinit thuhej: “Një fëmijë nuk është përgjegjës për mëkatet e babait të tij”. Pra mbyllet kështu ky kapitull në Rusi, pa u ndëshkuar asnjë.