Gjergj Vyshka 17.08.2016 09:45
Presidenti Avni Ponari dhe Drejtori i Përgjithshëm, Thoma Gëllçi, kanë firmosur memorandumin e bashkëpunimit. Kombëtarja, por dhe kampionati i koshit do të vijnë në ekranin më të madh të vendit. Radio-Televizioni Shqiptar ka zgjeruar gamën e transmetimeve sportive.
Pas Ligës së Evropës për tre vjet, Eliminatoreve të Kampionatit Evropian, ndeshjeve të Kategorisë Superiore, apo dhe evenimente të tjera kombëtare e ndërkombëtare, vera e vitit 2016 e ka gjetur më të zgjeruar programin sportiv të të gjithë taksapaguesve shqiptar.
Sepse si asnjëherë tjetër Partizani në Ligën e Kampioneve dhe Kukësi në Ligën e Evropës, pa harruar këtu përsëri skuadrën e kuqe në përballjen me Krasnodarin, kanë qenë pjesë e paketës së RTSH-së. Ashtu sikurse dhe 40 orë transmetim direkt në ditë në 3 kanale të Lojërave Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
Por marrëveshjet nuk kanë përfunduar këtu, sepse pas asaj me Federatën Shqiptare të Futbollit për Kategorinë e Parë, mbrëmë. në mjediset e hotel “Tirana-International” është firmosur marrëveshje me Federatën Shqiptare të Basketbollit.