AlbanianSport.com 05.02.2016 12:05
ASNN – Një ambulancë e lëvizshme është vënë në dispozicion të kombëtares së shtangës në Shtërmen, atje ku janë bërë analizat e gjakut dhe të urinës, por dhe kontrollet e zemrës e të mëlçisë. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrepaj, për të përditshmen sportive shqiptare, “Sport Ekspres”, do të deklaronte: “Ne si Ministri e Shëndetësisë kemi marrë angazhimin për të bërë jo vetëm kontrollet mjekësore, por dhe testet e antidopingut të sportistëve”.
“Kjo në mënyrë që kombëtarja e peshëngritjes të mos ketë probleme në Oslo, – ka vijuar ai. – Kemi një bashkëpunim të mirë me Federatën Shqiptare të Peshëngritjes dhe me presidentin e saj Elez Gjoza, i cili ka sjell një frymë të re në familjen e shtangës shqiptare, e cila do të jetë e aftë që ta ngrejë lart flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare. Që do të thotë se do të sjellin medalje pa fund”. Duke vazhduar më tej, Rrepaj ka bërë të ditur se kontrollet antidoping do të bëhen edhe në sportet e tjera e jo vetëm në peshëngritje.
“Më parë kjo nuk ka qenë e mundur, kurse tani i kemi të gjitha mundësitë për të bërë analizat mjekësore dhe antidoping në çdo sport, – ka vijuar ai. – Pasi të dalin përfundimet e këtyre analizave, ne ato do t’ia japim Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, e cila do të analizojë më pas situatën ku ndodhet. Synimi ynë si ministri është të ngremë një laboratorë të posaçëm për antidopingun, kjo për të gjitha sportet. E besoj se do t’ia arrijmë qëllimit. Sepse ekipet do t’i bëjnë testet këtu dhe jo jashtë vendit.”