AlbanianSport.com 26/11/2018 17:20
ASNN – Kritika e Shyqyri Rrelit: “Dështon një klub s’është asgjë, kur dështon kombëtarja ka përgjegjësi, Panuçi, zgjedhje e nxituar”. Ish-trajneri i përfaqësueses kuqezi në vitet e arta të saj, Shyqyri Rreli, në një intervistë që ka dhënë për të përditshmen shqiptare, “SOT”, ka prekur disa çështje të rëndësishme, ndërmjet të tjerave dhe atë të trajnerit Kristian Panuçi, zgjedhjen e të cilit në krye të Kombëtares e quan të nxituar.
“Futbolli është me të vërtetë interesant, ai ka brenda suksesin dhe dështimin, – shprehet Rreli për të përditshmen në fjalë, – kur dështon një klub, sado probleme që mund të shkaktojë, nuk është ndonjë hata e madhe, trishtimi kalon shpejt, por kur dështon ekipi përfaqësues problemi është serioz. Ecuria e një kombëtareje, loja dhe rezultatet e saj ndjehen me shpirt.”
“Rinovimi me trajnerin mendoj se është një lëvizje e Federatës e nisur nga dëshira e mirë, – ka vijuar ai. – Dihet tashmë që ekipet kombëtare në përgjithësi marrin trajnerë të huaj. Por në rastin e Panuçit, nuk e di a është konsultuar dhe me kë është konsultuar federata, sepse zgjedhja e tij më duket e nxituar. Pse e them këtë? Ai ka qenë lojtar i madh, padyshim, si futbollist i heq kapelën.”
“Por ai mori drejtimin e përfaqësueses kuqezi pa patur ndonjë përvojë pozitive, – ka vijuar veterani i “topkëmbës” shqiptare. – Përvoja kur drejton një ekip kombëtar është vendimtare. Pra Panuçi ishte lojtar i madh, por si trajner është i papërvojë. Drejtimi i një skuadre kombëtare është mbi të gjitha përvojë, gjë që Panuçi nuk e ka.” Ndërkohë, më pas Rreli niset nga qëllime të mira, duke kapur anët pozitive të qëndrimit të trajnerit italian.
Ai mendon se Panuçi mund ta tejkalojë këtë krizë dhe mund të sjellë rezultate. Sipas Rrelit, ai duhet të ketë reflektuar nga gabimet dhe duhet të ketë nxjerrë mësimet e duhura. “Nuk duhet ta paragjykojmë, – vijon ish-trajneri, autor i shumë librave për futbollin, – mundet të jetë fillimi i një ecurie të mirë dhe ndoshta mund të ecë në vazhdim. A ka gabime profesionale në këtë punë?”
“Sigurisht që po, – ka vijuar më tej analizën e tij 88-vjeçari. – Ai e nisi duke zgjedhur lojtarët dhe ndryshe nga De Biazi nisi përtëritjen e grupit. Por ne trajnerët e dimë që kur bën ndryshime, qoftë dhe dy lojtarë të ndryshosh, nisin problemet. Kjo lojë dhe përtëritja kërkon të studiohet si duhet. Unë shoh që ka ende mangësi, pavarësisht se fituam së fundmi një ndeshje miqësore.”
“Por me grupin që ka krijuar mund të sjellë ndryshimin e pritshëm. Nga ana tjetër, ai la të kuptohej se kishte gabuar profesionalisht në përtëritjen e mbrojtjes, sepse u kthye sërish tek të vjetrit. Sidoqoftë, mua s’më mbetet veçse t’i uroj sukses”, – ka përfunduar Ish-trajneri i përfaqësueses kuqezi, Shyqyri Rreli.