AlbanianSport.com 20/01/2019 14:45
ASNN – Paris SG-ja korri të shtunën një fitore të madhe në Ligën 1 të Francës, pasi mundi me rezultat të thellë 9-0 Gengompin. Ishte një fitore tenistike në kuadër të javës së 19-të të kampionatit francez, ku skuadra e madhe pariziene u hakmor në një farë mënyre për eliminimin që Gengompi i shkaktoi nga Kupa e Francës. Ndeshja foli për Paris SG, e cila realizoi 9 gola.
Shkëlqyen sidomos sulmuesit, trioja e famshme e grupit, Kavani-Mbape-Nejmar. Uruguajani shënoi 3 gola, po ashtu dhe Mbape, kurse braziliani Nejmar shënoi 2 gola. Munier realizoi golin e fundit për t’i vënë kapak një fitoreje të madhe, një fitore që e shkëput kampionen në fuqi të Francës në krye të renditjes dhe e afron edhe më me titullin.
Për t’u theksuar është se Paris SG-ja është skuadra me sulmin më të fuqishëm në Evropë. Ka realizuar 63 gola në 19 javë garë, duke pasur një koeficient 3.3 gola për ndeshje. Por edhe pas kësaj fitoreje, ka vend për “shashka”, sepse Kavani e Mbape shënuan nga tre gola, kurse Nejmar vetëm 2 gola.
Shifrat në këtë rivalitet flasin shumë, sepse për brazilianin po thuhet se po kërkon të kthehet tek Barcelona, pasi nuk po kalon momente të gëzuara në Paris.