AlbanianSport.com 22/01/2019 22:05
ASNN – Sulmuesi portugez Kristiano Ronaldo është dënuar nga gjykata spanjolle me 2 vjet burg, për shmangie nga taksat që vinin prej pagesave nga shfrytëzimi i të drejtës së imazhit apo dhe paga të padeklaruara nga Reali i Madridit midis viteve 2011-2014. I shoqëruar nga e dashura e tij Xhorxhina Rodriguez, Ronaldo u shfaq vetë sot para dyerve të Gjykatës në Spanjë.
Akuza e ngritur për sulmuesin portugez ishte falsifikim të të dhënave për përfitim financiar të padrejtë. Për këtë akuzë gjykata mori vendim ta dënojë yllin e Juventusit me dy vjet burg, por kjo masë dënimi do të shlyhet me para dhe Ronaldo do të duhet t’i paguajë shtetit spanjoll një shumë prej 19 milionë Eurosh. Në fakt, gjykata nuk e dënoi për pagat e padeklaruara por vetëm për fshehjen e të ardhurave nga e drejta e imazhit.
Edhe pse vazhdimisht Ronaldo ka pretenduar se ka qenë i rregullt me ligjin në Spanjë dhe kishte paguar detyrimet sipas rregullave në fuqi, duket se kjo nuk ka “pirë ujë” dhe ai është dënuar. Prokurori theksoi se Ronaldo ka fshehur 14.7 milionë Euro përmes kompanive jashtë Spanjës (offshore). Gjyqtari i shqiptoi vendimin prej dy vjetësh burg, nisur dhe nga ligji, i cili kaq i dënon ata që shkelin rregullat për herë të parë.
Por portugezi nuk do të bëjë burg me të vërtetë, pasi kjo do të konvertohet në pagesë dhe ai është dënuar me 19 milionë Euro.