AlbanianSport.com 12/08/2021 21:10
ASNN – Romelu Lukaku ka mbërritur në Londër për të nisur aventurën e tij të dytë në Premier Ligën Angleze, pikërisht me skuadrën e Çellsit. Sulmuesi belg, pasi ka kryer vizitat e para mjekësore në Milano, është drejtuar për në Montekarlo, për të firmosur marrëveshjen me agjentin e tij Federiko Pastorelo, e, më pas, është nisur drejt Londrës. Në kryeqytetin britanik Lukaku ka hedhur firmën në kontratën 5-vjeçare me Çellsin, nga e cila do të përfitojë 12 milionë Euro në sezon.
Klubi londinez ka dhënë edhe lajmin zyrtar se Romelo Lukaku është tashmë lojtar i bluve të Londrës. “Është një ndjesi e veçantë rikthimi sërish këtu dhe për të ndihmuar klubin për të fituar trofe të tjerë, – ka thënë Lukaku. Çellsi është një klub ku unë ndjehem mirë dhe u përshtatet ambicieve të mia. Mezi pres të zbres në fushë, pas një udhëtimi të gjatë, të nisur këtu dhe fati më riktheu sërish këtu.”
Nga lëvizja e sulmuesit belg, Interi ka përfituar 115 milionë Euro, të cilat do t’i investojë në merkato, për të sjellë përforcime të reja në skuadër. Lukaku largohet nga zikaltërit pas dy sezonesh, ku zhvilloi 72 ndeshje duke shënuar 47 gola. Në sezonin e fundit, sulmuesi belg i ndihmoi zikaltërit të fitojnë titullin “kampion” të Serisë A, duke shënuar 24 gola. Një humbje e madhe kjo për klubin italian, të cilën presidenti Suning shpreson ta zëvendësojë me ardhjen e Edin Xhekos.