Gjergj Vyshka 14.11.2014 08:45
Me peshë trupore më të lehtë se sa kazakja arrin të marrë të artën e tretë për Shqipërinë. Në shtytje nuk shkon më shumë se sa vendi i 9-të, kurse në dygarësh është e shtata. Romela Begaj është “kampione e botës” në peshëngritje për të rritura në peshën 63 kg. Por vetëm në stilin e shkëputjes, ndërsa në shtytje dhe më pas në dygarësh ka bërë aq sa ka pasur mundësi.
Në një farë mënyre e ka kontrolluar garën e stilit të shkëputjes, një stil të cilin e ka pasur të sajin edhe kur ishte në peshën 58 kg. Madje një pjesë e mirë e shtangisteve, të cilat kanë qenë konkurrente dje në Botërorin e Kazakistanit, kanë qenë kundërshtare të Begajt dhe në peshën 58 kg. Romela e ka nisur shkëputjen me 110 kg, provë të cilën nuk e ka realizuar me të parën.
Dhe një shkundje e shpatullave nga Luan Shabani, apo dhe një këshillim i shpejtë me trajneri dhe bashkëshorti Gazmend Hakcani, ka bërë që prova e dytë të jetë e suksesshme. E suksesshme edhe në 113 kg. Dhe kur Turieva nuk e ka realizuar provën e tretë me 114 kg, atëherë Begaj ka shpërthyer nga gëzimi, sepse edhe duke qenë më e lehtë në peshë se sa kazakja Gorisheva, e cila kishte ngritur po 113 kg, atëherë është kampione e botës në shkëputje.
Një përqafim me trajnerin Hakcani, por dhe ka lot gëzimi, sepse për herë të parë në karrierën e saj gati 10-vjeçare është Kampione e Botës për të rritur. Dhe diferenca e peshës me Korushevën ka qenë 390 gram. Ndaj Begaj ka qenë kampione e botës në shkëputje. Edhe në stilin e shtytjes, Begaj e ka djegur provën e parë me 127 kg. Por e ka realizuar në të dytën.
Dhe kur ka ngritur më pas në provën e tretë 132 kg është më shumë se sa e gëzuar. Mirëpo të tjerat e kanë nisur garën aty ku e ka lënë Romela Begaj, ndërsa nuk ka mundur dot të hyjë në zonën e medaljeve. Është e nënta në shtytje me 132 kg, ndërsa është e shtata në dygarësh me 245 kg. Por gjithsesi teksa ka sjellë medaljen e tretë të artë nga Botërori i Të Rriturve, si asnjëherë më parë për peshëngritjen shqiptare, atëherë meriton të gjitha lëvdatat.
Në fund të fundit, Daniel Godelli dhe Romela Begaj, të dy “kampion bote”, do të mbeten krenaria e peshëngritjes shqiptare për vitin 2014. Por do të jenë krenari dhe për sportin shqiptar, ndërsa do të jenë dy emra që do të jenë garanci për medalje në Lojërat e para olimpike evropiane në Baku, si dhe në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”. Ndaj dhe e djeshmja e Romela Begajt është një mrekulli më vete.
Rezultatet teknike të peshës 63 kg femra
Shkëputje
1) ROMELA BEGAJ (SHQIPËRIA) 113 KG
2) Karina Gorisheva (Kazakistan) 113 kg
3) Tima Turieva (Rusi) 112 kg
Shtytje
1) Ueng Dei (Kinë) 142 kg
2) Hio Sim Shoe (Kore e Veriut) 140 kg
3) Tima Turieva (Rusi) 140 kg
———-
9) ROMELA BEGAJ (SHQIPËRIA) 132 KG
Dygarësh
1) Uei Deng (Kinë) 252 kg
2) Tima Turieva (Rusi) 252 kg
3) Hio Sim Shoe (Kore e Veriut) 250 kg
———–
7) ROMELA BEGAJ (SHQIPËRIA) 245 KG