AlbanianSport.com 16.02.2017 18:45
Presidenti i Federatës Shqiptare të Ndeshjeve të Lira, Arjan Rizai, nëpërmjet një statusi në profilin e tij në rrjetin social “Facebook” ka ngritur shqetësimin e tij se mungesa e promovimit të këtij sporti nuk e ndihmon zhvillimin e tij në vendin tonë. Ai është shtyrë nga nisja e transmetimeve në “Digitalb” dhe “Supersport” që nga 12 shkurti i ndeshjeve të UFC-së. Sipas tij, Federata Shqiptare e Ndeshjeve të Lira është anëtare e Federatës Botërore Amatore të këtij sporti, që është dhe partnerja kryesore e UFC-së.
“Ajo garanton përkujdesje, si dhe rritjen hap pas hapi të sportistëve në karrierë, të cilët më vonë nëse arrijnë rezultate të larta mund të kalojnë në UFC, – shkruan Rizai. – Kjo është një gjë e mirë për ta promovuar këtë sport, por ama dhe ne kemi sportin tonë dhe ligji na ka dhënë përfaqësimin e sportit të MMA-së në vendin tonë. Mungesa e dëshirës për të investuar apo promovuar këtë sport nuk e ndihmon MMA-në. Ne jemi konkret me arritjet tona e, nëse bashkëpunojmë, gjithçka do të përkthehej në masivizim dhe cilësi.”
“Që do të thotë se do të duhej shumë më pak për të kontribuar në krahasim me investimin që do duhej për transmetimin e UFC-së, apo kampionateve të ndryshme ndërkombëtare, – ka vijuar ai. – Ka ardhur koha për t’u vlerësuar puna, sakrifica e sportistëve shqiptarë në vendin tonë dhe jashtë tij. Pavarësisht mbështetjes dhe pritshmërive, pasioni që ka ky komunitet i ka kaluar parashikimet e tre viteve më parë të fillimit të aktivitete të MMA-së në vendin tonë.”
“Janë arritur rezultate shumë më të larta brenda dy vitesh si Kampion Ballkani me 5 sportistë, pjesëmarrje dhe renditje në gjashtë të parët në Evropian, apo dhe në aktivitetet në vijim. Një mirënjohje të gjithë miqve të mi që mbështesin Federatën Shqiptare të Ndeshjeve të Lira, ndërsa unë besoj se do t’ia dalim të përfaqësohemi denjësisht në nivele të larta ndërkombëtare”, – ka përfunduar Rizai, kurse të mërkurën e ardhshme do të jetë kampionati “Gladiatori 5”.