Adriatik Balla 26.05.2015 12:30
Pas stresit të një kampionati të luftuar në maksimum, nuk është e vështirë të kuptohet se ka ardhur momenti për pak relaks te Partizani dhe Tirana. Në faqet zyrtare të rivalëve të përjetshëm, nuk ka më polemika apo reagime në lidhje me çështje të mprehta në lidhje me trajnerët, apo lojtarë të veçantë, apo dhe orarin e derbit që në sezonin që sapo u mbyll u bë një telenovelë më vete, por çështje më “soft”, të buta që transmetojnë qetësi pas një kampionati ku fanellat e rënda si ato të Tiranës dhe Partizanit diktojnë gjithmonë luftë me nerva të tendosura.
Kështu në faqet zyrtare të Partizanit, klubi i kuq duket se bën një sondazh në lidhje me preferencat e tifozëve për fanellën e sezonit të ardhshëm. Partizani prezanton fanellat me të cilën skuadra e 19-vjeçarëve do të luajë finalen e kampionatit të kësaj Kategorie përballë Shkëndijës së Tiranës, duke nënvizuar se mendohet se kjo uniformë mund të jetë funksionale edhe për skuadrën e parë për sezonin që vjen. Komenti përkrah fotos ku shfaqen dy fanellat ajo për ndeshjet në shtëpi, rigorozisht e kuqe dhe ajo për takimet në fushë të huaj e bardhë lë të kuptohet se klubi është duke marrë mendimin e përkrahësve para se të bëjë zyrtare fanellën për edicionin që do të shënojë edhe 70-vjetorin e themelimit të klubit.
Te Tirana ndërkohë pasi kanë arkivuar zhgënjimet e fundsezonit, kanë kohën për të bërë një sondazh sërish me tifozët. Pyetja është: Cili është futbollisti i sezonit te Tirana, duke kërkuar mendimin e përkrahësve bardheblu për fituesin e anketës që do të marrë një çmim simbolik. Interesante do të jetë për të mësuar opinionin e tifozëve të Tiranës se cili nga futbollistët kalon klasën pas një sezoni të dështuar. E rëndësishme është që më në fund, edhe te bardheblutë do të merret një çmim.