AlbanianSport.com 06.05.2016 13:45
ASNN – Më në fund, realiteti i rrjeteve sociale po troket edhe në Shqipëri, ndonëse në një version jo dhe aq të këndshëm. Kështu, Partizani ka pezulluar pa afat Ditmar Bicajn, pasi reagoi në “Facebook” pas derbit të kryeqytetit. Barazimi në derbin e fundit me Tiranën ia ka vështirësuar punën Partizanin në garën për titullin “kampion”, por të kuqtë e kryeqytetit duhet të përballen edhe me pakënaqësitë brenda skuadrës.
Me anë të një njoftimi zyrtar klubi ka bërë të ditur se ka pezulluar pa afat mbrojtësin Ditmar Bicaj. Shkak për këtë vendim është bërë reagimi i futbollistit pas ndeshjes së fundit, ku ai u la në stol nga Andrea Agostineli. Bicaj nuk e priti mirë stolin dhe në një koment në profilin e tij në “Facebook” reagoi duke shprehur qartë zhgënjimin.
Duke e cilësuar këtë reagim si prishje të imazhit të klubit, Partizani njoftoi se Bicaj do të pezullohet deri në një vendim të dytë. Në fakt, duket një lajthitje kjo e Partizanit, por është ndër të rrallët herë në sportin shqiptar që klubi hakmerret ndaj lojtarit për një status në “Facebook”. Në fakt, pasi i shpëtoi për fat humbjes së turpshme me Tiranën, në derbi të mërkurën, Partizanit ka nisur një gjueti shtrigash ndaj lojtarëve të tij.
Por kjo gjueti nuk ka për qëllim gjetjen e fajtorëve që nis nga trajneri deri te lojtarët, për ndeshjen e dobët me Tiranën dhe përmirësimin për sfidat e radhës, por tashmë drejtuesit e Partizanit, duan të venë edhe çensurë për statuset në media sociale të vetë futbollistëve. I tillë reagim erdhi nga drejtuesit e klubit të kuq ndaj qendërmbrojtësit Ditmar Bicaj, të cilin vendosën ta pezullojnë pa afat.
Kjo me arsyen e vetme se dikujt në klub nuk i ka pëlqyer një status në “Facebook” të futbollistit shtalartë Bicaj. 27-vjeçari nuk u aktivizua për asnjë minutë në derbin me Tiranën, mosaktivizim ky që në fakt solli dhe dy gola të pësuar për Partizanin. Pas kësaj ai në “Facebook” hodhi një kolazh fotot e tij me kupat e fituara kur luante me Skënderbeun dhe me ekipin kampion të Iranit, Tractor Sazi.
Fotot, ai i ka shoqëruar edhe me statusin se nuk mund të hedhin baltë mbi të, disa njerëz të cilët sapo kanë ardhur në futbollin shqiptar. Por mesa duket ky status i Bicajt, që nuk i referohej askujt konkretisht, por që kishte brenda mjaft sarkazëm, ka trazuar ndonjë drejtues të Partizanit, duke ndikuar edhe në marrjen e vendimit ekstrem ndaj tij, duke e pezulluar pa afat.