AlbanianSport.com 19/02/2019 19:15
ASNN – Superkupa e Spanjës nuk është më një trofe që do ta diskutojnë dy skuadra, domethënë fituesja e kampionatit dhe fituesja e kupës. Federata Spanjolle e Futbollit dhe presidenti i saj Luis Rubiales, kanë njoftuar se Superkupa do të zhvillohet me 4 ekipe dhe do të hyjë në fuqi sezonin e ardhshëm. Mediat spanjolle kanë zbardhur edhe skemën e Superkupës.
Ajo do të funksinojë me duele gjysmëfinale dhe finale, me praninë e 4 ekipeve. Kështu, gjysmëfinalja e parë do të jetë mes ekipit që ka fituar Kupën e Mbretit dhe asaj që ka dalë në vend të dytë në kampionat, pra, nënkampiones, kurse gjysmëfinalja tjetër do të ketë përballë skuadrën që ka fituar kampionatin spanjoll dhe ekipin të mundur finalist të Kupës së Mbretit.
Natyrisht, në një vend ku “ligjin” e bëjnë Reali dhe Barcelona, formula duket e lehtë për t’u aplikuar, dhe kjo formulë do të ndihmonte dhe skuadrat e tjera që të përfshiheshin në skemë ku padyshim Atletiko e Madridit është ajo që mund të jetë gjysmëfinalistja e njërës prej rivaleve të mëdha të Spanjës. Veçantia tjetër e aktivitetit është se do të luhet jashtë Spanjës dhe mund të zgjasë 4-5 ditë.
Është planifikuar që Superkupa e Spanjës të luhet një javë para se të nisë kampionati spanjoll.