Gjergj Vyshka 20.01.2014 08:40
Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” dhe kualifikimi i sportistëve tanë me normë kanë qenë në qendër të vëmendjes së takimit që Ministria e Arsimit dhe Sportit ka bëre me drejtuesit e Federatave Olimpike. Bëhet fjalë për atletikën, boksin, çiklizmin, gjimnastikën, mundjen, karatenë, taekuondonë, notin, qitjen, pingpongun dhe xhudon, që, edhe duke u konsideruar sporte olimpike, janë ato që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Lojërat Olimpike.
Duhet të ishte dhe peshëngritja, por për shkak të rasteve të dopingut duket se është e penalizuar, ndonëse ende nuk ka marrë masa ndëshkimore e Federatës Botërore të shtangës, për të mos qenë e tillë në “Rio de Zhaneiro 2016”. Për shkak të vitit olimpik dhe garave kualifikuese që janë përpara dhe që Federatave, të paktën edhe sipas drejtuesit të sportit elitar në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, Arjan Konomi, të marrin pjesë thuajse në të gjitha, granti financiar jo vetëm që është më i lartë se vitin e kaluar, por dhe është çelur që në dhjetor të vitit 2014.
Dhe pjesëmarrja për në garat kualifikuese për në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” jo vetëm që është detyrim, por tashmë kërkohet dhe kualifikimi me normë. E një mundësi do të jenë dhe Lojërat Olimpike Evropiane, të cilat do të zhvillohen në Baku të Azerbajxhanit më 12-28 qershor. Përfundimisht Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016” kanë vënë në lëvizje të gjithë, që nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e deri tek Federatat Sportive.