AlbanianSport.com 08.08.2016 09:50
ASNN – Pas triumfit të Kelmendit, kanë ardhur edhe reagimet e para të politikës kosovare. Presidenti Hashim Thaçi ka shkruar në rrjetin social “Facebook”: “Krenar dhe përplot emocion me suksesin e Majlindës. Flamurin e Kosovës, para miliona shikuesve anekënd botës e flakëroi në ar. Si askush tjetër, Majlinda personifikon historinë e re të sportit dhe suksesit ndërkombëtar të Kosovës. Ne erdhëm si fitues në Rio dhe po kthehemi sërish fitues në Kosovë.”
“Me këtë fitore, Majlinda shënoi “ipon” për politikën e jashtme të Kosovës!”, – përfundon Thaçi. Ndërsa kryeministri Isa Mustafa shkruan: “Atë që shumë shtete nuk kanë arritur ta bëjnë gjatë dhjetëra vjet pjesëmarrjeje në Lojërat Olimpike, Kosova jonë e dashur, me heroinën e saj brilante, Majlinda Kelmendin, e bëri që në olimpiadën e parë. Kosova fitoi sot medaljen e parë olimpike si shtet i pavarur dhe sovran dhe jam i bindur se medaljet do të jenë të pandalshme për sportistët tanë në vitet në vijim.”
“T’i gëzohemi së bashku këtij momenti historik. Majlinda është e Artë, Kosova është e Artë!”, – përfundon Mustafa. Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë ka shkruar shkurtimisht në rrjetet sociale”: “SuperMajlinda Kelmendi e artë! Urime urime urime!” Edhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përshëndetur suksesin historik, duke shkruar: “Majlinda Kelmendi, krenaria e Kosovës dhe e çdo shqiptari!”