Gjergj Vyshka 13.08.2016 11:35
Luiza Gega, shansi i vetëm i Shqipërisë për medalje në Lojërat Olimpike, sot do të garojë në ora 15:05 me orën e Tiranës në gjysmëfinalen e 3,000 metrave me pengesa, por me zemër në dorë. Dëmtimi që ka pasur në tendinin e Akilit, e bëjnë situatën shqetësuese, aq sa optimizmi të mos jetë në shkallën maksimale. Trajneri Stërmasi është i pari që e di të gjithë situatën e atletes së tij, teksa ka deklaruar nga Rio për “Sport Ekspres” se fizikisht është në një gjendje shumë të mirë.
“Por tendina e shqetëson prapë, – ka pohuar ai. – Jo se nuk e lë të vrapojë, por e ndjen. Halli është tek kalimi i pengesa se do të mund të jetë shqetësimi pas rënies. Akoma nuk kanë dalë bateritë kualifikuese dhe nuk e dimë ende se ku do të garojë. Vonë shumë janë me startlistat. Nuk e kuptoj dot pse po i vonojnë”. Dhe e thotë prerë Stërmasi: Luiza Gega për garën dhe për finale. “Nuk ka asgjë të mesme, – vijoi trajneri. – Thjesht nëse do ta ndjejë tendinin ajo kontrakton muskujt e pulpës dhe më pas të kofshës.”
“E duke pasur parasysh gjatësinë e garës situata bëhet më kritike, – shton ai. – Ky është i vetmi merak”. Ideja është sipas Stërmasit që dhimbja e tendinit të mos bëhet bllokuese për këmbën pas kalimit të pengesave. Pyetjes së “Sport Ekpres” se sa mund të ndikojë koha e keqe duke qenë se dita e parë e garave të atletikës në Rio është bërë nën shi, Stërmasi do t’i përgjigjej: “Sot koha do të jetë e mirë sipas parashikimeve të meteorologjisë”.
“Nëse do të prishet, jep probleme, pasi, sa herë ka trysni, dhimbja bëhet më e madhe”, – përfundoi trajneri i Luiza Gegës