Gjergj Vyshka 12.08.2016 13:25
“Ka pasur disa shqetësime me tendinin, nuk e di pse”. Kështu e nis rrëfimin e tij trajneri i Luiza Gegës, Taulant Stërmasi, sepse për të mbërritur deri në Rio janë lodhur prej më shumë se sa një viti. Stërvitje intensive në Kenia, në Dardhë e në Korçë, por dhe në Elbasan. E kur vjen fundit duket sikur fati nuk është me Gegën në pjesëmarrjen e saj të parë në Lojërat Olimpike “Rio de Zhaneiro 2016”.
“Ndoshta ndryshimi i vendit, presioni i ajrit, lagështia, kanë ndikuar, – pohon ai nga Rio. -E vërteta është se nuk e kam ngacmuar në kalimin me pengesa sepse nuk duhet ta ndjejë këmbën në stërvitje. Megjithatë shpresojmë që për kaq ditë sa kanë mbetur deri tek gara shqetësimi të jetë sa më i vogël. Problemi kryesor është se po i acarohet gjatë kohës që vrapon dhe arrin në kontraktimin e këmbës së majtë nga poshtë e lart.”
“Dhe më shqetëson fakti kur të kalojë pengesat sepse mund të na shfaqet bllokimi”, – ka shtuar trajneri i Gegës. E pyetjes së “Sport Ekspres” se a rrezikon të mos marrë pjesë në garë, Stërmasi do t’i përgjigjej: “Frika qëndron, megjithëse është në terapi intensive me Sidita Hoxhollin dhe Arben Merepezën, që nga ekipi kanadez ka ardhur posaçërisht për Lizën. Ka pasur dhe një problem në shpinë, por ka kaluar.”