AlbanianSport.com 11.08.2016 19:55
ASNN – Sidni Hoxha ka qenë sportisti i 4-t shqiptar që ka garuar në Lojërat e 31-ta Olimpike që mbahen në Brazil. Notari 24-vjeçar ka garuar në baterinë e parë, nga 12 të tilla, të garës së 50 metrave stil i lirë, garë kjo që, sikundër e gjithë Olimpiada “Rio 2016”, u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Ai është renditur i pari në këtë bateri, duke mbërritur i pari në finish, me kohën 22 sekonda e 80 të qindtat. Kjo kohë nuk i ka mjaftuar atij të kualifikohet, pasi për në turin tjetër kualifikoheshin vetëm 16 të parë dhe Hoxha është renditur i 41-ti midis 85 konkurrentëve.
Në këtë disiplinë ka marrë pjesë për Kosovën edhe notari Lum Zhavelli, i cili ka garuar në baterinë e 5-të dhe është renditur i 57-ti. Vlen të theksohet se kjo paraqitje modeste e Sidni Hoxhës në Olimpiadë i ka shërbyer atij për të thyer rekordin kombëtar në 50 metra stil i lirë, që e mbante po ai vetë.
Koha e re prej 22 sekondash e 80 të qindtash është 7 të qindtat më e shpejtë se 22 sekonda e 87 të qindtat që ai pati regjistruar para dy vjetësh në Berlin.