Gjergj Vyshka 21.08.2016 15:05
Një “supergol” me goditje dënimi, por dhe 11-metërshin e 5-të të saktë për verdheblutë ka ardhur nga ylli i Lojërave Olimpike në Rio. Gjermanët dorëzohen tek pika e bardhë pas gabimit të Petersenit. Nejmari, padyshim ylli i Lojërave Olimpike në futboll, e ka ngjitur Brazilin për herë të parë në majën e Olimpit.
Ka shënuar një “supergol” në pjesën e parë, në minutën e 27-tëm, me një goditje dënimi perfekte në të djathtë të portierit Horn, por që nuk ka mjaftuar. E më pas kur Petersen, kjo dhe falë aftësive të Ueverton, që ka kuptuar krahun e ka grushtuar, ka humbur 11-metërshin e 5-të të gjermanëve, Nejmar ka marrë mbi shpinë gjithçka.
Ka bërë lëvizjet e tij karakteristike dhe me një gjuajte të saktë thyen Hornin dhe Brazili për herë të parë e artë në turneun e futbollit të Lojërave Olimpike. Tre herë medalje të argjendta dhe një herë të bronztë, kurse Gjermania, me përjashtim të asaj çka kanë fituar lindorët më 1976, e kishte “sefte”.
E në fund Brazili është kampion olimpik si një hakmarrje e vogël për atë humbje në gjysmëfinalen e Botërorit 2014, 1-7. Por që nuk ishte e plotë, sepse Brazili provoi fatin e 11-metërshve dhe mori medaljet e arta. Gjermania bëri ndeshjen e vet, goditi traun 3 herë, por s’e kishte fatin me vete.
Brazil – Gjermani 1-1
Shënues: Nejmar 27’ / Mejer 59’
(Brazili fiton 5-4 pas goditjes së 11-metërshave)
Goditjet e 11-metërshave: Agusto (+), Markinjos (+), Rafinja (+), Luan (+), Nejmar (+) / Ginter (+), Gnabri (+), Brandt (+), Sule (+), Petersen (-, grushton Ueverton)
Brazili: Ueverton, Augusto, Gabriel (Anderson 70’), Kaio, Gabriel Zhezus (Rafinja 95’), Luan, Markinjos, Nejmar, Santos, Uollas, Zeka. Trajner: M. Rozherio
Gjermania: Horn, Bender (Promel 67’), S. Bender, Brand, Ginter, Gnabri, Klosterman, Mejer, Selke (Petersen 76’), Sule, Toljan. Trajner: H. Hrubesh
Gjyqtar: A. Fagani (Iran)
Kartonë të verdhë: Zeka, Gabriel Barbosa / Selke, Promel, S. Bender, Sule